Site icon Telegrafi

Hoxhaj, Listës serbe: Mos u bëni vegël e Beogradit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në mbledhjen e sotme të qeverisë i është përgjigjur deklaratave të zëvendëskryeministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtic, i cili është ankuar për ngjarjet e së hënës.

Hoxhaj i bëri thirrje Listës Serbe të mos mbetet vegël e politikës së Beogradit.

Hoxhaj tha se Kosova ka një sistem kushtetues dhe rend juridik i cili duhet të respektohet. Përtej kësaj, Hoxhaj tha se mes Kosovës dhe Serbisë ekziston një marrëveshje që është arritur në Bruksel, të cilën duhet ta respektojmë të dyja palët.

“Një zyrtar i lartë i shtetit serb nuk mund të vijë në Kosovë pa leje, ashtu sic ne nuk mund të shkojmë pa leje në Serbi. Ne posedojmë fajllin nga zyra jonë ndërlidhëse në Beograd, që dëshmon se z. Gjuriq asnjërën nga procedurat për hyrje në Kosovë nuk i ka respektuar”, deklaroi Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri theksoi se aksioni nuk ka qenë assesi i drejtuar kundër komunitetit serb në Kosovë. Ai i bëri thirrje Listës Serbe që të mos mbetet instrument i politikës së Beogradit, port ë bashkëpunojë me shtetin e Kosovës, në të cilin jetojnë.

Hoxhaj foli edhe për ngjarjen e djeshme në Mitrovicë, ku mbi 100 persona të komunitetit serb u mblodhën për të diskutuar formimin e njëanshëm të Asociacionit të Komunave Serbe. /Telegrafi/

Exit mobile version