Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për vendimet e marra sot për heqjen e vizave për Bosnjën dhe Hercegovinën.
Hoxhaj e akuzon Kurtin se vendimi i tij ka lehtësuar lëvizjen e serbëve nga Republika Srpska, duke thënë se Beogradi po ndjehet rehat.
Ai ka theksuar se ky vendim është një kapitullim dhe se Kurti ka dhënë lëvizje të lirë serbëve të Republika Srpska në të njëjtën ditë kur BE-ja nisi liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia, të cilat i paraqesin qytetet e Kosovës si pjesë të Serbisë.
Hoxhaj, gjithashtu Nënkryetar i Kuvendit dhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka shprehur shqetësimin se pas dorëzimit në CEFTA, Kurti po i nënshtrohet bllokadës së Republikës Srpska, pa siguruar lëvizje të lirë reciproke për Kosovën.
Tutje ka pyetur se si mund të justifikohet vendimi i Kurtit për heqjen e regjimit të vizave, duke lejuar serbët të lëvizin lirshëm në BE dhe duke legjitimuar pretendimin e Serbisë mbi qytetet e Kosovës.
Hoxhaj e ka cilësuar këtë vendim si një sulm të qartë ndaj sovranitetit të Kosovës, duke theksuar se Kurti ka heshtur dhe nuk ka kundërshtuar në bisedimet e tij në tavolinat e majta, të cilat kanë rezerva ndaj shtetësisë së Kosovës.
Po ashtu ka akuzuar Kurtin se po hap rrugën për agjendën e Beogradit dhe po minon pavarësinë e Kosovës, duke kërcënuar të ardhmen e saj me politikën e dorëzimit ndaj agjendave evropiane.
“E gjitha kjo ndodhi duke i dhënë Beogradit një mjet për vetëmenaxhimin politik të popullsisë serbe në Kosovë, vitin e kaluar në vilën e Titos në Ohër. Kurti po hap rrugën për agjendën e Beogradit, duke minuar pavarësinë e fituar me sakrificë të Kosovës dhe duke kërcënuar të ardhmen e saj me politikën e dorëzimit ndaj agjendave të majta evropiane”.
“Jam shumë krenar që kam qenë unë ai që ka propozuar regjim të vizave me Bosnjën dhe Hercegovinën pasi Repubika Srspka kishte kushtëzuar tërë shtetin boshnjak që të merrte një vendim të tillë! Të shoh Kryeministrin Kurti që sot pa asnjë reciprocitet të shpall një vendim të tillë, është gabim shumë i madh politik, ngaqë qytetarët tanë do presin para ambasadave të Bosnjës dhe pse mos të presin edhe ata para ambasadave të Kosovës”, shkroi Hoxhaj në Facebook./Telegrafi/