Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se njohja edhe nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian nuk është me rëndësi vetëm për Kosovën, por edhe për Ballkanin Perëndimor dhe vetë Bashkimin Evropian.
Këto komente zëvendëskryeministri i Kosovës i bëri në tryezën e organizuar nga Shkolla Politike për qasjen e Kosovës ndaj pesë vendeve të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
Hoxhaj tha se Bashkimi Evropian duhet të flasë me një zë në lidhje me Kosovën, në mënyrë që e njëjta të garantojë zgjerim të besueshëm dhe të drejtë të saj në Ballkanin Perëndimor.
“Njohja e Kosovës nga pesë vendet e mbetura të Bashkimit Evropian është me rëndësi të madhe jo vetëm për Kosovën, por edhe për Ballkanin dhe BE-në. BE-ja duhet të flasë me një zë për Kosovën dhe të garantojë zgjerim të besueshëm dhe të drejtë të saj në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj foli edhe për qasjen e vendeve jashtë Evropës ndaj njohjes së Kosovës. Ai tha se pjesa më e madhe e tyre e shohin Kosovën si çështje evropiane, dhe si e tillë edhe trajtohet në politikën e tyre të jashtme, duke arsyetuar argumentin se BE-ja duhet folur me një zë në mënyrë që të mos e dëmtojë Kosovën në raport me shtetet e tjera të botës. /Telegrafi/