Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Është e drejtë e partive të propozojnë kandidatin për president, por nuk është e ndershme të flitet për këtë kur presidenti është në detyrë

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj gjatë intervistës për “Përballje” në Telegrafi (Foto: Ridvan Slivova)

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, në emisionin “Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi, ka folur për 100 ditshin e Qeverisë Hoti, marrëveshjen e arritur në Washington, mos votimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike si dhe për përfshirjen e mundshme të kësaj partie në Qeveri, ndërkaq për zgjedhjen e presidentit të vendit, ka thënë se nuk është e ndershme të diskutohet, derisa Kosova e ka presidentin.

Hoxhaj tha se Partia Demokratike e Kosovës do të flasë për zgjedhjen e presidentit kur të vijë koha.

“Kushti i PDK-së është konkret, Kosova ka presidentin e saj, një personalitet dinjitoz deri në afatin kushtetues. Dhe, ne flasim për këtë temë kur të vjen afati kushtetues. Por, aktualisht Kosova ka president dhe nuk është e ndershme që të flitet e të diskutohet për atë. Nuk është e ndershme të flitet për atë se kush do të jetë president, në një kohë kur Presidenti i vendit është në detyrë”, u shpreh Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, partitë politike kanë të drejtë të propozojnë kandidatët e tyre, por PDK-ja do të flasë kur të vijë koha me subjektet e tjera politike në vend dhe të shoh se cila është gjëja më e mirë për vendin në këtë aspekt.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj gjatë intervistës për “Përballje” në Telegrafi (Foto: Ridvan Slivova)

“Është në rregull, mund ta propozojë AAK-ja, por, në asnjë vend të botës, përveç atëherë kur ka garë presidenciale, ku presidenti zgjidhet në mënyrë direkte, askund nuk diskutohet zgjidhja e presidentit 4-5 muaj më herët. Është e drejtë e partive politike të propozojnë kandidatët e tyre dhe ne flasim për këtë temë vetëm kur vjen afati, ulemi me subjektet tjera politike dhe shohim cila është gjëja më e mirë për vendin”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj tha se diskutimin për çështjen e zgjedhjes së presidentit e sheh si joserioze, duke qenë se deri në përfundim të mandatit janë edhe rreth pesë muaj.

“Është aq joserioze në politikë me fol për atë se kush mund të jetë president në pranverën e vitit 2021. Nuk dua që ta mohoj debatin në demokraci, por një subjekt serioz me një qëndrim serioz nuk fol për atë se çka do të ndodh pas 4-5 muajsh në Kuvendin e Kosovës, kur diçka varet prej krejt subjekteve politike që janë në Kuvend, se kush mund të zgjidhet. Prandaj, për neve është temë e parakohshme”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version