Zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka folur rreth deklaratës së përbashkët të arritur nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq për Demarkacionin.
Hoxhaj ka thënë se kjo është një ngjarje e veçante në Kosovë e cila po ndodh në prag të shënimit të 10 vjetorit të shënimit të pavarësisë, ngjarje që duhet të kuptohet drejtë.
“Pas një komunikimi disa javësh me kolegët tanë në Mal të Zi, presidenti Thaçi ka nënshkruar një dokument që është instrument diplomatik i komunikimit ndërkombëtar. Deputetët e Kuvendit me këtë deklaratë kanë bazë politike dhe legale që ta votojnë Demarkacionin dhe ta zëmë kohën e fundit që qytetarët të lëvizin pa viza”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka shtuar se ka pasur një komunikim në muajt të fundit, ku është arritur një koordimin në mes partnerët të koalicionit se si të tejkalohen dallimet sa i përket demarkacionit.
“Mendoj se me nënshkrimin e kësaj i kemi tejkaluar këto dallime, kemi treguar kapacitet shtetëror, pasi që asnjë palë ndërkombëtare nuk e ka qenë e involvuar në këtë marrëveshje, si dhe kemi treguar marrëdhëniet tona të shkëlqyera si dy shtete të pavarura”, u shpreh Hoxhaj.
Zëvendëskryeministri tutje theksoi se duhet që sa më shpejt të thirret seanca për ratifikim të Demarkacionit me Malin e Zi.
“Spektri politik në Kosovë duhet ta krijojë një agjendë kohore të përbashkët dhe të ftohet një seancë që ta votojmë këtë marrëveshje dhe të lëvizim përpara. Këshilli Evropian do të takohet në javën e parë të marsit, dhe nëse ne arrijmë që në një afat të shkurtë kohorë ta ratifikojmë këtë marrëveshje mund të arrijmë të hymë në rekomandimet e samitit të radhës të BE-së”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj ka shtuar se në këtë marrëveshje si pikë reference janë Kulla e Zhlepit dhe Çakorri, të cilat nuk kanë qenë në marrëveshjen e arritur më 2015.
Ai më tej ka theksuar se deputetët nuk duhet të kenë asnjë dyshim apo arsye që të mos e votojnë këtë marrëveshje.
“Ne si PDK jemi për atë që të ketë një seancë sa më shpejt, i takon presidentit të arrijë një konsensus me partitë politike së bashku me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit. Mund të bëjë ftesë në emër të PDK-së që seanca të ndodhë sa më shpejt dhe të arrijmë një gjuhë të përbashkët që të ecim përpara”, u shpreh Hoxhaj, duke shtuar se nëse ratifikohet kjo marrëveshje atëherë gjatë këtij viti mund të lëvizim pa viza drejt Evropës. /Telegrafi/