Telegrafi

Hoxhaj: Askush më shumë se Kurti nuk ka shpërndarë kritika për Veriun, tani nuk del të jetë mbrojtës i integritetit territorial

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka komentuar situatën e fundit në veri të Kosovës.

Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti janë të paaftë për ta menaxhuar situatën në veri të Kosovës.

Deputeti i PDK-së është shprehur se Serbia, vazhdimisht ka pretenduar dhe pretendon të përdorë situatat humanitare për të shkelur sovranitetin e Kosovës në këtë pjesë të saj, një gjë që Qeveria e Kosovës nuk po ndërmerr asgjë që ta pengojë.

Hoxhaj, ndër të tjera ka thënë se Qeveria duhet të ofrojë ndihmë edhe në atë pjesë të Kosovës, pa asnjë dallim, por sipas tij ajo një gjë të tillë nuk e bëri.

“Situata në komunat veriore, për javë me radhë po tregon se atje ka mungesë absolute të çdo rezonie shtetërore, paaftësi totale të Qeverisë dhe të kryeministrit Albin Kurti për të menaxhuar situatën. Qeveria duhet të ofrojë ndihmë edhe në atë pjesë të Kosovës, pa asnjë dallim. Por, një gjë të tillë nuk e bëri.

Serbia, vazhdimisht ka pretenduar dhe pretendon të përdorë situatat humanitare për të shkelur sovranitetin e Kosovës në këtë pjesë të saj, një gjë që Qeveria e Kosovës nuk po ndërmerr asgjë që ta pengojë. Askush më shumë se Albin Kurti nuk ka shpërndarë kritika të pabesueshme për situatën në këto komuna për vite me radhë! Por sot as nuk del të jetë mbrojtës i integritetit territorial të Kosovës dhe as të njerëzve atje”, ka shkruar Hoxhaj. /Telegrafi/