Site icon Telegrafi

Hoxha: Sipas gjasave LVV-ja do të ketë prej 46-49 deputetë

Analisti politik Ylli Hoxha, duke analizuar situatën paszgjedhore, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, do të ketë mes 46 dhe 49 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Hoxhës, bazuar në rezultatet e deritanishme, opozita do të ketë një numër deputetësh që varion mes 51 dhe 55.

Në emisionin Debat Plus, ai u shpreh se krijimi i qeverisë pa një koalicion të mundshëm mbetet i pamundur, qoftë nga Vetëvendosje, qoftë nga partitë opozitare si PDK dhe LDK.

“Rezultatet ende nuk janë përfundimtare, por sipas të gjitha gjasave, LVV do të ketë 46-49 deputetë, varësisht nga votat e diasporës. Opozita do të ketë mes 51 dhe 54 deputetëve. Për të krijuar qeverinë, çdo palë do të ketë nevojë për së paku 12 vota shtesë. Lista Serbe mund të humbasë vetëm një deputet, por ky rezultat e bën të pamundur krijimin e një qeverie vetëm me mbështetjen e minoriteteve joserbe”, tha ai.

Lexo po ashtu Kush e formon Qeverinë? Kalkulimet pas numërimit të votave nga diaspora dhe atyre me kusht

Hoxha theksoi se edhe opozita nuk e ka të lehtë krijimin e qeverisë, për shkak të mungesës së një homogjeniteti mes deputetëve të minoriteteve. “Si duket, nuk ka asnjë opsion për formimin e qeverisë pa përfshirjen e Listës Serbe, përveçse në rastin e një bashkëpunimi mes dy partive shqiptare,” shtoi ai.

Gjithashtu, Hoxha vlerësoi se deklaratat e Albin Kurtit gjatë fushatës nuk kanë qenë “shpërthime emocionale”, por “pozicionime strategjike” të mirëllogaritura.

Exit mobile version