Site icon Telegrafi

Hoxha: Rishikimi i sektorit të sundimit të ligjit fuqizon gjykatat

‪Në kuadër të bashkëpunimit dhe avancimit të proceseve brenda përgjegjësive, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka vizituar Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku u prit nga Kryetari i kësaj Gjykate, Bashkim Hyseni dhe me këtë rast janë diskutuar prioritetet e ndërsjella.

Hoxha në takim diskutoi rreth rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, duke konstatuar se pas këtij vlerësimi pritet të hartohet strategjia gjithëpërfshirëse e sundimit të ligjit. ‪

“Disa projektligje që gjenden në proces të miratimit, si Projektligji i Gjykatave, për përgjegjësinë disiplinore për gjyqtarë e prokurorë, procesi i rishikimit të Kodit Penal dhe Procedurës Penale, do të kontribuojnë në fuqizimin e sundimit te ligjit, në pajtim me praktikat më të mira nga BE-ja”, theksoi Hoxha. ‪ ‪

Ministrja foli edhe për iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për rregullimin e çështjes së suspendimit të zyrtarëve publik ndaj të cilëve zhvillohet procedura penale, duke theksuar rëndësinë që ka të adresohet ky problem për agjendën evropiane të vendit tonë.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hyseni diskutoi për të arriturat e kësaj Gjykate, për sfidat dhe çështjet prioritare duke e konsideruar vizitën dhe diskutimin si tejet të rëndësishme, ngase qëllimi i përbashkët i të gjitha institucioneve të drejtësisë është fuqizimi i sundimit të ligjit.

Ministrja theksoi se mirëpret çdo iniciativë që shpie drejt avancimit të sistemit të drejtësisë./Telegrafi/

Exit mobile version