Telegrafi

Hoxha raporton para Komisionit për Integrim Evropian: Zbatimi i MSA-së duhet të dinamizohet

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian.

Siç thuhet në një njoftim për media, Hoxha potencoi se pas hyrjes në fuqi të MSA-së më 1 prill 2016, Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2019–2023, është programi i 4-të me radhë për zbatimin e MSA-së, i dakorduar mes Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Qeveria pas një procesi gjithëpërfshirës konsultativ më 19 mars 2019, ka miratuar PKZMSA-në 2019-2023, bazuar  në strukturën e Kritereve të Kopenhagës, të ndara në 3 blloqe kriteresh: politike, ekonomike dhe standardet evropiane, duke përfshirë përafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së”, ceku Ministrja Hoxha dhe shtoi se vëmendje e veçantë u është kushtuar tri aspekteve: Bashkëpunimit më të ngushtë me institucionet, konform reformave të propozuara në Program, Planifikimit të qëndrueshëm dhe realist, dhe Kostos buxhetore”, ka thënë ajo.

Hoxha theksoi se sipas planit, për vitin 2019 është paraparë realizimi i 70% i reformave,  të paktën 280 masa afatshkurta.

“Kostoja e zbatimit të PKZMSA-së 2019-2023 për këtë vit është rreth 94.4 milionë euro, nga të cilat rreth 81.8 milionë euro nga buxheti i shtetit, rreth 12.6 milionë euro nga mbështetja e donatorëve (BE dhe donatorët bilateralë), pra, nuk ka vakum buxhetor”, u shpreh ajo.

Ministrja shtoi se Raporti i parë  tremujor mbi zbatimin e PKZMSA 2019 – 2023 parashihet të publikohet në fillim të Majit 2019, derisa monitorimi i zbatimit të PKZMSA-së bëhet përmes platformës online.

Ministrja Hoxha u përgjigj edhe në pyetjet e anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Integrime, rreth MSA-së, reformave të planifikuara dhe lobimit rreth liberalizimit të vizave. /Telegrafi/