Telegrafi

Hoxha: Protesta e NJSI-së është alarm i sigurisë, Qeveria të ketë më shumë ndjeshmëri

Analisti politik, Ylli Hoxha, ka thënë se protesta e Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI), para Qeverisë së Kosovës, përbën në vetë alarm të sigurisë.

Hoxha në Debat Plus tha se kryeministri Albin Kurti dhe ministri Xhelal Sveçla, duhet të përkushtohen që policët të mos dalin në protesta, por të mundohen t’ua plotësojnë kushtet.

“Vetë fakti që është shpërfaqë një protestë e njësisë speciale është alarm i sigurisë. Është një situatë e cila manifeston një marrëdhënie joserioze të udhëheqësisë dhe organeve shtetërore që konsiderohen që janë strategjike e vitale për ne… Një ministër i Punëve të Brendshme, e një  Kryeministër duhet të brengoseshin që ata njerëz të maskuar të mos dalin fare para qeverisë për protestë, këtu e shpreh kritikën time”, tha ai.

Hoxha dhe se ulja e pagës për këdo nuk ka asnjë funksion të dobishëm, derisa theksoi se Qeveria duhet të ketë më shumë ndjeshmëri e kujdes për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Nuk është e drejtë çfarëdo lloj logjike që të rezultojë të hyra më të vogla për ata që kanë qenë duke punuar. Duhet pasur më shumë kujdes e ndjeshmëri, për nevojë dialogu me polici që kjo që ka ndodh të mos ndodhë më”, tha ai.

Hoxha tha se njësia speciale e Serbisë paguhet përafërsisht 1800 deri 1900 euro pa shtesa.

“Sa munda të shohë në rajon, që ky nivel i ekspertizës nuk është që nuk paguhet. Një anëtarë për t’u trajnuar kushton shumë. Serbia ka 1600 anëtarë të njësisë speciale në ushtri dhe polici, zotimi është të bëhen 5 mijë. Paga është rreth 1800-1900, me gjithë shtesat mund të marrin deri në 2800 e 2900”, tha ai.

Tutje ai theksoi se Kosova nuk duhet të merret me shtesa por t’ua rris pagat zyrtarëve policorë.