Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka fajësuar Qeverinë Kurti që mësimi sot nuk filloi në pothuajse asnjë shkollë në vend.
Kjo pasi mësimdhënësit janë në grevë për shkak të mosplotësimit të kërkesave të tyre nga ekzekutivi. E sipas Hoxhës, kryeministri Kurti që dikur premtonte “kthimin e trurit” në Kosovë, tani “po merr vendime pa tru”.
“Sot do të duhej të ishte ditë feste, sidomos për fëmijët që nisin klasën e parë. Por, shkëlqimin e syve të tyre sot nuk e panë as prindërit e tyre. Pse? Pyetja është e thjeshtë. Sepse Albin Kurti që dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot po merr vendime pa tru”, ka deklaruar Hoxha në konferencë për media.
Tutje, ka thënë se Kurti nuk do dialog social, por po iu shpallë luftë mësimdhënësve.
“Albin Kurti u ka shpallur luftë mësimdhënësve, duke i lënë pa para vetëm pse janë futur në grevë, duke i kërkuar të drejtat e tyre legjitime. Ka prekur në themel mirëqenien e tyre. Ai nuk do dialog social, por nënshtrim. Kurti dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot po merr vendime pa tru”.
Hoxha ka deklaruar se sot Kosova është në terr energjetik dhe edukativ, si rezultat i mendjeve të errësuara të Qeverisë Kurti.
“Sot jemi në terr energjetik. Sot jemi në terr edukativ. Dhe krejt kjo është rezultat i mendjeve të errësuara të kësaj qeverie”, ka theksuar ajo. /Telegrafi/