Site icon Telegrafi

Hoxha thotë se nuk ndjen përgjegjësi për dështimin në liberalizimin e vizave

Foto: Arkiv

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një intervistë për kallxo.com ka thënë që nuk ndien përgjegjësi për dështimin e liberalizimit të vizave për Kosovën pasi, sipas saj, fajtori për këtë dështim është vet Bashkimi Europian që, siç shprehet ajo, nuk është duke e mbajtur fjalën pavarësisht plotësimit të 95 kritereve të kërkuara nga pala kosovare.

Tutje ajo e ka konsideruar se është për keqardhje fakti që tani BE-ja i ka lënë në ‘mjegull’ institucionet e Kosovës për hapat e mëtutjeshëm rreth kësaj çështjeje.

Ministrja Hoxha, gjatë kësaj interviste ka treguar edhe për shtetet të cilat kanë qenë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, duke shtuar se hezitimi i këtyre vendeve ka pasur të bëjë me çështjet e brendshme të tyre dhe jo me Kosovën.

Znj. Hoxha vazhdimisht keni paralajmëruar që fundi i këtij viti do të jetë vendimtar që Kosova të ketë liberalizimin e vizave, por para pak ditës Komisioneri Johannes Hahn tha që viti realist është viti 2020. Çfarë është duke ndodhur në këtë drejtim?

Dhurata Hoxha: Ne nuk kemi pranuar informata zyrtare se çka mund të presim më tutje në muajt apo javët në vijim, kemi insistuar kemi punuar shumë që të futet në agjendë çështja e liberalizimit të vizave, sidomos të përfundojë në kuadër të presidencës austriake. Debati i ashpër që është duke u zhvilluar për çështjen e emigracionit i ka shtyrë vendet anëtare që të kenë hezitime, jo ndaj qytetarëve të Kosovës por hezitimet e tyre që të mos keqpërdoret çfarëdo vendimi që pastaj të ketë rritje të partive ekstreme të djathta gjegjësisht atyre partive që janë kundër migracionit sepse e kemi parasysh që zgjedhjet e ardhshme janë në maj (2019). Ne nuk kemi asgjë zyrtare por ne prapëseprapë nuk do të dorëzohemi, do të kërkojmë diçka që na takon. Ne i kemi plotësuar kriteret, kjo është rikonfirmuar edhe me letrat e shumta që po kërkojnë që edhe BE ta mbajë fjalë. Pra ne e tëra çfarë po kërkojmë është që BE gjegjësisht Këshilli ta mbajë fjalën.

Pse Kosova nuk arriti të futet në agjendën e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, çka e pengoi këtë?

Dhurata Hoxha: Krejt çka kemi pasur ne në duart tona ne i kemi përfunduar, dhe kjo ka rezultuar edhe me konfirmimin që Kosova i ka plotësuar kriteret dhe po të kishte qenë diçka dyshuese as eurodeputetet nuk e kishin shkruar tani së voni letrën ku kërkojnë që BE-ja ta mbajë fjalën. Gjithashtu edhe shumë vende anëtare janë për liberalizimin e vizave dhe po e ngrinin zërin që një padrejtësi e madhe i është bërë kosovarëve, sepse ne kemi shumë vende që gëzojnë liberalizimin e vizave mirëpo nuk janë ndoshta me kritere dhe standarde nuk qëndrojnë më mirë se Kosova, në të vërtetë qëndrojnë shumë më keq. Ky proces ka qenë i dizajnuar nga BE-ja, i plotëson kriteret pastaj vjen liberalizimi dhe ne i kemi plotësuar kriteret dhe tani e tëra çka po kërkojmë është që qytetarët tani të lëvizin sa më shpejtë të lirë.

Vazhdimisht keni deklaruar se janë përmbushur kriteret për liberalizimin vizave, por pavarësisht kësaj liberalizimi nuk u bë, kush është fajtori BE-ja apo vet Kosova?

Dhurata Hoxha: Përgjegjësia e Republikës së Kosovës ka pushuar në momentin kur ne kemi parë dhe kemi marrë rekomandimin dhe konfirmimin e qartë nga komisioni evropian, pastaj nga komiteti LIBE nga Parlamenti Europian që Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret dhe aty kemi përfunduar mandatin tonë, i cili ka qenë përmbushja e kritereve. Tani është e pakuptimtë që të shohim këtë hezitim për një çështje aq të rëndësishme për qytetarët e Kosovës e cila nuk ka të bëjë aspak me këto çështjet që po diskutohen në BE. Kosova nuk do ta keqpërdorë liberalizmin, ne kemi bërë edhe një sondazh, e kemi analizuar përmes dhe aty na është konfirmuar edhe një herë se Kosova nuk do ta keqpërdorë liberalizimin e vizave kur ndodhë kjo. Fatkeqësisht po e shohim një hezitim të Francës dhe Holandës dhe këto dy shtete për shkak të zërit të larë që e kanë ngritur për shkak të çështjeve të tyre të brendshme kanë bërë që të ketë hezitime edhe nga presidenca austriake që të mos e futë në agjendë çështjen e vizave për Kosovën, sepse proceduralisht po të ndodhte kjo kemi qenë në hapin e fundit dhe ende jemi në hapin e fundit. Pra neve na nevojitet vetëm votimi në këshillin e ministrave.

Pra ju po mendoni që fajtori për këtë është më shumë BE-ja?

Dhurata Hoxha: Nëse është një proces i dizajnuar, një proces burokratik teknik në këtë rast, i kemi pasur 95 kritere që i kemi plotësuar qysh në start ne kemi qenë të diskriminuar, kemi pasur dyfishin e kritereve. Na është thënë që kur t’i plotësoni dhe e marrim rekomandimin pozitiv plotësimin e këtyre kritereve nga Komisioni atëherë ne do të vazhdojmë ta kryejmë pjesën tonë dhe kjo është na është thënë nga secili lider që ka vizituar në tri vitet e fundit që nga përfaqësuesja e lartë Mogherini, nga presidenti Juncker dhe nga Komisioneri Hahn dhe nga komisioneri Avramopoulos, të gjithë kanë deklaruar këto gjëra, mirëpo tani po e shohim që ka një hezitim dhe ndoshta një shpërfillje totale të rastit të Kosovës, askush nga këto vende anëtare, sidomos këto hezituese nuk kanë dashur të merren me çështjen e Kosovës. Përgjegjësia këtu është se BE-ja ka dështuar ta mbajë pjesën e vet të obligimit sepse tekefundit procesi i integrimit europian është një proces kontraktual, ne i plotësojmë standardet dhe pastaj ata të avancojnë drejt procesit të integrimit. Në këtë rast i kemi plotësuar kriteret të cilat kanë qenë për liberalizim, është dashur të na jepet liberalizimi. Këtë proces që ata vetë e kanë dizajnuar gjithashtu në bazë të premisave të lirisë së lëvizjeve të njerëzve dhe të mallrave ata vet po e shkelin dhe nuk po e respektojnë fjalën e dhënë që lëvizja e lirë është e drejtë njerëzore është njëra ndër parimet bazë të BE-së, pra ata nuk e respektojnë pjesën e tyre të marrëveshjes.

 Znj. Hoxha, qeveria e Kosovës ka ndarë buxhet të veçante për lobim për liberalizim të vizave. A sa është ky buxhet dhe sa keni shpenzuar?

Dhurata Hoxha: Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë buxhet për lobim, çështja është se ne kemi dashur të ndajmë buxhet për lobim por ishin dy procese edhe lobimi i INTERPOL-it si dhe gjithashtu edhe lobimi për viza. Lobimi që është bërë është bërë pra me vija buxhetore të secilit prej institucioneve të Kosovës, në këtë rast lobimi i bërë nga Ministria e Integrimit, nga unë, kryeministri, kryeparlamentari Veseli. Nuk është asnjë shpenzim që i ka tejkaluar ato vija buxhetore të buxhetit që ka qenë i alokuar për udhëtime jashtë vendi. Duhet të them që ne kemi pasur shumë vizita dhe lobimi, ka pasur efekt sepse shumë nga vendet që kanë qenë më hezituese e kanë ndërruar pozicionin dhe kanë qenë për liberalizimin e vizave, si Polonia dhe Çekia, kam pasur takime edhe në Romë, Estoni shumë e shumë vende të tjera, pra jam takuar edhe me zyrtarët të lartë edhe të vendeve mosnjohëse që na kanë premtuar që do të na përkrahin për procesin e liberalizmit të vizave. Është dashur ndoshta të ndajmë një buxhet më të lartë që të kemi një koordinim apo ndoshta të shpërndahemi më shumë nëpër anembanë botës por ja që ishin dy procese që koinciduan me kohën, pra ishte INTERPOL-i, dhe procesi i liberalizimit të vizave. Kjo është një e drejtë që na takon neve, ne duhet të vazhdojmë të kërkojmë që BE-ja ta mbajë fjalën e vet.

A keni bërë kalkulime sa ka qenë konkretisht buxheti që është shpenzuar për çështjen e lobimit të vizave.

Dhurata Hoxha: Nuk kemi bërë kalkulime, por këto mund t’ua ofrojmë. Ne jemi një ministri mjaft transparente dhe çfarëdo kërkese që mund të keni patjetër që do t’u ofrojmë të gjitha informatat.

Çka ka shkuar keq me këtë lobim?

Dhurata Hoxha: Nuk e mendoj që ka shkuar keq, më tepër e shoh këtë çështje si një pjesë ku ne kemi bërë punën tonë, qeveria, institucionet kanë bërë një punë të madhe, kemi plotësuar kriteret. Por në anën tjetër gjithashtu po e shohim që situata nëpër të cilën po kalon BE-ja është një situatë e cila nuk po na favorizon neve si Kosovë, jo pse ata kanë diçka kundër Kosovës. Jemi në një situatë ku asnjëra prej shteteve nuk don të marrë një vendim që do ta përkeqësonte pozitën e asaj qeverie apo ati institucioni në zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Europian.

 Cilat janë shtet që nuk janë bindur që Kosova të marrë liberalizimin e vizave?

Dhurata Hoxha: Shtetet që nuk janë bindur, jo pse ato janë kundër Kosovës por janë kundër çështjeve që i kanë në agjendat e tyre të brendshme pra politikave dhe situatës së tyre të brendshme, janë Franca dhe Holanda. Ato janë kundër. Ndërsa Gjermania, edhe kjo për shkak të situatës që e kanë të brendshme pra kishim zgjedhjet e brendshme në CDU, ku pati një tranzision nga Merkeli që ishte kryesuese apo lidere e asaj partie, pra të gjitha këto në një mënyrë apo tjetrën kanë ndikuar që tema apo çështja e liberalizimit të mos futet në agjendë. Pra këto janë dy shtete që janë kundër, por jo kundër Kosovës. Të gjitha shtetet tjera që kam vizituar dhe kam biseduar me ato të gjitha janë përkrahëse të liberalizimit të vizave. BE-ja po na mban në një farë mënyre të painformuar se çka po ndodhë, tërë kohën kur komunikojmë me shtetet e BE-së, gjegjësisht me Brukselin dhe institucionet atje e tëra që na thonë është, ju i keni plotësuar kushtet e juaja, ju e keni kryer punën e juaj tani është te ne topi. Është për keqardhje që nuk kemi një qartësi për hapat e ardhshëm të këtij procesi dhe ne por kërkojmë që asgjë më shumë sesa që të trajtohemi në mënyrë të barabartë me të gjitha shtetet, i kemi plotësuar kriteret na jepni liberalizimin e vizave?

Është kërkuar dorëheqja juaj nga opozita pas deklarimeve të fundit të komisionerit Hahn. A e keni shqyrtuar këtë si mundësi?

Dhurata Hoxha: Unë e përmenda që përgjegjësia e qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës, ka mbaruar më 17 korrik kur Komisioni Europian ka konfirmuar që Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret. Edhe pasi që i kemi përmbushur kriteret ne kemi vazhduar me punën tonë edhe në agjendën e reformave europiane (ERA). Javën kaluar ne patëm një pako të ligjeve të sundimit të ligjit që i kaluam dhe kjo ka qenë një sinjal shumë i rëndësishëm edhe drejt Brukselit që ne po vazhdojmë të punojmë. Ne kemi bërë gjithçka çka është e mundshme dhe çka ka qenë në dorën tonë mirëpo me të vërtetë është e pakuptimtë që po shohim një BE që është duke refuzuar ta zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes.

Pra nuk e keni shqyrtuar një mundësi të dorëheqjes nga posti i ministres?

Dhurata Hoxha: Jo vetëm unë por edhe të gjithë ne të tjerët që kemi pasur çfarëdo përgjegjësie, i kemi përfunduar punët tona.

 Znj. Hoxha, cili për juve shënon momentin kur do të dorëhiqeshit nga posti i ministres?

Dhurata Hoxha: Përgjegjësia që prek parimet etike që i kam si ministre apo që do të kisha konflikt me shkeljen e parimeve që i kam, patjetër që do ta konsideroja një çështje të tillë. Mirëpo unë deri më tani kam punuar gjithmonë sipas këtyre parimeve në çfarëdo pozite, çfarëdo posti, pra parimet më të larta të përgjegjësisë, transparencës, efikasitetit dhe çka është më e rëndësishmja në secilin institucion që kam punuar kam qenë ithtare e madhe e rritjes së transparencës por gjithashtu edhe luftimit të korrupsionit në çfarëdo niveli të çfarëdo zyrtari.

Exit mobile version