Site icon Telegrafi

Hoxha në Paris: Kosova ka bërë progres, presim mbështetjen e Francës

Ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha gjatë vizitës në Paris takoi Salvatore Serravalle, Sekretare për Çështjet Evropiane, me të cilin temë kryesore e diskutimit ishte agjenda evropiane e Kosovës, reformat që po ndërmerren nga institucionet tona dhe liberalizimi i vizave.

Hoxha kërkoi mbështetjen e Francës për Kosovën duke theksuar se Franca ka qenë gjithnjë përkrah Kosovës në procese të rëndësishme vendimmarrëse.

Ministrja Hoxha siguroi zyrtarët francez se Kosova do të vazhdojë implementimin e MSA-së dhe vuri në dukje se Republika e Kosovës, disponon konsensus për rrugën integruese brenda vlerave të Bashkimit Evropian.

Serravalle shprehu mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e Kosovës për reformat dhe proceset që duhet kaluar deri në integrimin e vendit.

Gjatë vizitës në Paris, ministrja takoi edhe Catherine Lalumière, ish-sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, 1989-1994, ish-Ministre në qeveritë e kaluara të Francës, si dhe anëtare e Parlamentit Evropian nga 1994, e rizgjedhur më 1999, tash nënkryetare e Lëvizjes Ndërkombëtare Evropiane ku kryeson Grupin Punues për Zgjerimin e BE-së.

Lalumiere përgëzoi Ministren Hoxha për progresin e arritur në Kosovë dhe ofroi mbështetjen e saj për Kosovën dhe vendimmarrësit. Ajo ka siguruar Ministren për gatishmërinë që të ofrojë përvojën e saj politike për të avancuar me procesin e integrimit.

 

 

Exit mobile version