Gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Çekisë, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha është pritur në takim nga Tomas Petricek, zëvendësministër i Punëve të Jashtme Çeke.
Ministrja Hoxha në këtë takim ka kërkuar përkrahje nga Çekia për liberalizimin e vizave.
Ministrja Hoxha ka theksuar se reformat e kërkuara me Agjendën Evropiane, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si dhe reformat tjera ekonomike, janë punë intensive e institucioneve të Kosovës.
“Ne i kemi kushtuar vëmendje të veçantë pengimit të emigrimit ilegal, trafikimit me qenie njerëzore, ligjit të azilit, marrëveshjet për riatdhesim të cilat zbatohen me të gjitha vendet e BE-së”, theksoi ministrja Hoxha.
Çekia, në historinë e re, ka dëshmuar se është përkrahëse e zhvillimeve pozitive në Kosovë dhe rajon, theksoi Ministrja Hoxha, duke cekur se pret përkrahje edhe në hapin final, vendimin përkrahës për liberalizim nga mbledhja e Këshillit të ministrave, për heqjen e kufizimit të lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës.
Petricek ofroi mbështetje për Kosovën dhe procesin integrues të saj.
Ai theksoi se zgjerimi i Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti integrimi evropian i Kosovës është prioritet për Republikën çeke dhe Kosova do ta ketë mbështetjen e Çekisë në proceset e rëndësishme për vendin.
Ministrja Hoxha, po ashtu vuri në dukje se perspektiva evropiane për qytetarët e Kosovës duhet të konfirmohet sa më parë nëpërmjet liberalizimit të vizave, si vendim i vetëm i drejtë, pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian u cili ka konfirmuar se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret. /Telegrafi/