Site icon Telegrafi

Hoxha-Kurtit: A të përfaqëson Kusari-Lila në diskutimet me Radoiçiqin dhe Simiqin

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, në vazhdimin e seancës së Kuvendit të së enjtes ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se “a të përfaqëson Kusari-Lila në bisedat me Radoiçiqin dhe Simiqin”.

Sipas saj, publikimi i audio-incizimeve të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila gjatë një bisede me Sllavko Simiqin nga Lista Serbe, është çështje shumë e rëndësishme, por të cilën “partia në pushtet po mundohet që ta normalizojë duke prodhuar skandal”.

Lexo po ashtu Deputetet e PDK-së me aksion në Kuvend, e vendosin parullën "Zdravo" në foltore

“E kam vetëm një pyetje për kryeministrin: A të përfaqëson Mimoza Kusari-Lila në diskutimet me Radoiçiqin dhe Simiqin? Dhe e kam një pyetje për deputetët e pozitës: A ju përfaqëson Mimoza Kusari-Lila me atë se çfarë flet me Radoiçiqin dhe Simiqin?”, ka thënë Hoxha para deputetëve.

Kujtojmë se, këto ditë janë publikuar disa audio-incizime të një bisede mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila si dhe Sllavko Simiqit nga Lista Serbe.

Këto audio-incizime të publikuara nga gazeta “Nacionale”, ku përfshihen Kusari-Lila dhe Simiqi në një bisedë mes vete, kanë nxitur debat në opinion. Opozita po akuzon pushtetin se ka koordinuar veprimet e tyre me Listën Serbe në projektligjet e ndryshme në Kuvend.

Ndërkaq, nga partia në pushtet kanë thënë se audio-incizimet janë redaktuar, prerë e gjymtuar dhe se “qeveria jone ka zero varësi nga Lista Serbe”. /Telegrafi/

Exit mobile version