Site icon Telegrafi

Hoxha beson se britanikët do të pranojnë të hetojnë vdekjen e Astrit Deharit

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka deklaruar  se ende nuk kanë marrë përgjigje nga britanikët lidhur me kërkesën e Kosovës që policia “Scotland Yard” të bëjnë një hetim të ndarë lidhur me vdekjen e anëtarit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

“Ende nuk kemi pranuar përgjigje”, ka thënë Hoxha.

Ministrja ka thënë se në ditët në vijim do të diskutojmë me Ambasadorin britanik, Ruairí O’Connell, derisa, ajo pret përgjigje pozitive për kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë dhe Kryeprokurorit për hetimin e “Rastit Dehari” edhe nga një palë e tretë.

“Besoj që edhe në kërkesën tonë do të gjejmë mirëkuptim”, ka deklaruar Hoxha për Express, të dielën

Por, cila është baza ligjore nëse angazhohen hetues nga Britania për të hetuar vdekjen e Deharit?

“Ndërsa sa i përket bazës ligjore: Ligji nr. 04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale, neni 98, lejon themelimin e njësive të përbashkëta të hetimit. Ftesa e dërguar te pala britanike është bërë bashkërisht nga Ministria e Drejtësisë dhe e Prokurorit të Shtetit, i cili, në bashkërendim me Ministrinë e Drejtësisë, ka kompetencë për bashkëpunim ndërkombëtar sipas nenit 9 të Ligjit 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit”, ka deklaruar Ministrja Hoxha.

Dhurata Hoxha kishte bërë kërkesë britanikëve që të përfshihen në hetim të pavarur me rastin e Astrit Deharit me qëllim sigurimin e besimit dhe kredibilitetin e vdekjes së Astrit Deharit.

Lexo po ashtu Dhurata Hoxha kërkoi që rasti Dehari të hetohet nga policia metropolitane britanike - 'Scotland Yard

Astrit Dehari kishte ndërruar jetë gjatë transportimit prej paraburgimit për në Spitalin e Prizrenit ku ishte duke u mbajtur si i dyshuar për sulm terrorist ndaj Parlamentit. Rezultatet e autopsisë të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë kanë konstatuar se Dehari kishte vdekur nga lëndimet e vetshkaktuara. Kryeprokurori i Prizrenit ka konstatuar se anëtari i Vetëvendosjes bëri vetëvrasje, por, ende nuk janë sqaruar motivet. Askush s’është arrestuar apo akuzuar se ka shtyrë Deharin në vetëvrasje.

Lëvizja Vetëvendosje ka kontestuar gjetjet e Mjekësisë Ligjore dhe kanë dhënë versionin e tyre. Kanë thënë se Astrit Dehari është vrarë duke drejtuar gishtin kah Shteti. As Vetëvendosje s’ka përmendur emra konkret se kush qëndron pas vdekjes së Deharit. Përmes vdekjes së Deharit, Partia e Visar Ymerit ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë dhe dorëheqjen e udhëheqësve shtetëror.

Baza ligjore mbi të cilën janë ftuar britanikët për të hetuar vdekjen e Astrit Deharit

Ky është Neni 98 i Ligjit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Çështje Penale:

Njësitë e përbashkëta të hetimit

Autoritetet kompetente të Republikës së Kosovës me marrëveshje të ndërsjellë me një apo më shumë shtete mund të formojnë njësi të përbashkëta të hetimit për një qëllim të caktuar dhe për një periudhë kohe të kufizuar me qëllim të kryerjes së hetimeve në një apo më shumë shtete që kanë formuar njësinë. Periudha kohore mund të zgjatet me marrëveshje mes palëve.

Njësia e përbashkët e hetimit mund të formohet posaçërisht nëse:

2.1. hetimi në një shtet për një vepër penale përfshin hetime të vështira dhe kërkuese të cilat kanë lidhje me shtetet e tjera;

2.2. disa shtete janë duke zhvilluar hetime për vepra penale dhe rrethanat kërkojnë veprim të koordinuar dhe të bashkuar të shteteve të përfshira.

Njësitë e përbashkëta të hetimeve mund të formohen me kërkesë të cilido nga shtetet e përfshira.
Antarët e njësisë së përbashkët të hetimit, që janë të deleguar nga shteti i tyre mund të lejohen të kryejnë hetime në territorin e Republikës së Kosovës nën udhëheqjen e anëtarit të njësisë së Republikës së Kosovës, në përputhje me marrëveshjen mes Republikës së Kosovës dhe shtetit delegues.
Antarët e njësisë së përbashkët të hetimit duhet të lejohen të jenë prezent gjatë ndërmarrjes së çdo veprimi hetimor në Republikën e Kosovës. Megjithatë udhëheqësi i njësisë mund të vendos ndryshe për arsye të veçanta dhe në përputhje me ligjin vendor.

Anëtarët vendor të njësisë së përbashkët të hetimit, në përputhje me ligjin vendor dhe brenda kompetencave të tyre, mund t’i ofrojnë njësisë informatat e siguruara në Republikën e Kosovës, për qëllime të hetimeve penale që kryehen nga njësia.

Kur njësia e përbashkët e hetimit ka nevojë për veprime hetimore që duhet të ndërmerren në Republikën e Kosovës, anëtarët vendor të deleguar në atë njësi mund të kërkojnë nga organet gjyqësore vendore marrjen e atyre veprimeve. Ato veprime duhet të trajtohen në Republikën e Kosovës nën kushtet e njëjta që do të zbatoheshin nëse ato veprime do të kërkoheshin gjatë hetimeve vendore.

Informatat e siguruara ligjërisht nga antarët vendor të njësisë së përbashkët të hetimit, të cilat nuk do të ishin të arritshme ndryshe për autoritetet vendore, mund të përdoren për qëllimet e mëposhtme:

8.1. për qëllim për të cilin njësia është formuar;

8.2. për zbulimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale tjera, pas marrjes paraprakisht të

pëlqimit nga shteti ku janë siguruar ato informata;

8.3. për parandalimin e kërcënimit serioz dhe të menjëhershëm të sigurisë publike;

8.4. për qëllime të tjera, siç mund të pajtohen shtetet që kanë formuar njësinë.

Persona tjerë nga përfaqësuesit e organeve kompetente të shteteve që formojnë njësinë e përbashkët të hetimit, mund të lejohen të marrin pjesë në veprimet e njësisë. Të drejtat e dhëna antarëve të njësisë sipas këtij Neni, nuk do të jepen këtyre personave, përveç nëse shtetet pajtohen ndryshe shprehimisht.

Ky është Neni 9 Ligjit 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit:

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Kryeprokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, do të përcaktojë protokole dhe procedura për të ngritur bashkëpunimin me autoritetet e shteteve të tjera sa i përket ndjekjeve penale, përmes shkëmbimit të informacionit dhe mënyrave të tjera në përputhje me ligjin e zbatueshëm dhe marrëveshjet ndërkombëtare lidhur mes Kosovës dhe vendeve të tjera.

Kryeprokurori i Shtetit bashkëpunon me autoritetet dhe subjektet ndërkombëtare të vendosura në Republikën e Kosovës.

Exit mobile version