Telegrafi

Hoxha: Bashkimi Evropian e ka në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën (Video)

Fundi i këtij muaji, përkatësisht fillimi i muajit shtator, do t`i intensifikojë aktivitetet e institucioneve të Kosovës në drejtim të lobimit për procesin e liberalizimit të vizave. 

Institucionet e Kosovës tashmë kanë marrë konfirmimin se komisioni LIBE e ka futur në agjendë rekomandimin për liberalizim të vizave dhe në fund të muajit gusht pritet që ky komision të mblidhet.

Ministrja e integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, në një intervistë për RTK-në ka thënë se janë disa institucione të BE-së nëpër të cilat duhet të kalojë rekomandimi për liberalizim.

“Tani duhet të gjitha institucionet e BE-së ta fusin në agjendë Kosovën në mënyrë që të arrijmë të zëmë afatet deri në fund të vitit. Kosova i ka përmushutr të gjitha kushtet. Por, ne do të vazhdojmë punën tonë”, tha ajo.

Ndërkohë, ministrja Hoxha është e bindur se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret edhe pse thotë se nevojitet vazhdim i reformave, sidomos në drejtësi.

“Kosova dueht të vazhdojë reformat në sundimin e ligjit dhe sektorët tjerë. Janë reforma të thella dhe duhet të tregojmë përkushtimin tonë për luftimin e korrupsionit në vazhdimësi. Ky do të ishte sinjali më i mirë që do të përqonim tek institucionet e BE-së. Pres një intensifikim të punës prtej shtatorit por duhet të kemi përkushtim më të madh”.

Ndër të tjera ministrja Hoxha ka paralajmëruar se në fillim të muajit shtator ajo dhe aktorët tjerë institucionalë do të nisin vizita në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian për t’i bindur vendet anëtare pasi vendimi final për vizat merret në Këshillin e ministrave të Bashkimit Evropian e ku janë të përfaqësuara shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.