Telegrafi

Hovenier takon gruan simbol të eksodit të Kosovës: Sherifja, fytyra e një lufte brutale

Ishte marsi i vitit 1999, periudhë kjo e cila për popullin e Kosovës ishte tejet e rëndë.

Kolona të gjata njerëzish, të rinj me çanta në duar, fëmijë që qanin, të moshuar që mezi ecnin, ia kishin mësyrë një rruge që nuk e kishin idenë se ku do t’i çonte.

Të frikësuar në çdo hap që bënin nuk e dini as nga po shkonin, vetëm dëshironin të iknin sa më larg paramilitarëve serbë të cilët gjatë viteve 1998-99, vrisnin civil e të pafajshëm, dhe digjnin çdo gjë që kishin përpara.

Fotografi boshnjak Damir Sagolj, i cili punon për Reuters, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kishte shkrepur fotografi të cilat pasqyronin gjendjen reale të luftës dhe terrorin që po përjetonin popullata.

Lexo po ashtu Ambasadori Hovenier uron Ditën e Çlirimit: NATO-ja solli stabilitet dhe prosperitet për Kosovën dhe rajonin

Në fotografinë e bërë nga Sagolj, shihet një kolonë e gjatë banorësh të Kaçanikut por që në fokus ka një grua me një shami të bardhë në kokë, ndërsa mbante në gjirin e saj një foshnje. Në fytyrën e saj shihet frika dhe zemërimi.

Kjo grua quhet Sherife Luta e cila i kishte mbijetuar shumë mirë asaj kohe, ndërsa foshnja që mbante në duar, thënë më mirë vajza e saj, tani është rritur dhe ndonëse atë kohë nuk kishte ditur asgjë se çfarë ishte duke ndodhur.

Me rastin e shënimit të 23-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier ka takuar Sherife Lutën.

“Ishte kënaqësi që takova sot Sherife Lutën dhe familjen e saj në festën e Ditës së Paqes. 23 vjet më parë, Sherifja u bë fytyra e një lufte brutale pasi ajo dhe fëmija i saj u larguan nga Kosova. Sot ata janë të sigurt dhe të shëndetshëm’, ka shkruar Hovenier derisa në krah të djathtë të tij është Sherife Luta./Telegrafi/

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka kujtuar Sherife Lutën, duke thënë se ajo është personifikim i qëndresës së popullit dhe kujtesë e eksodit të dhunshëm të shkaktuar nga regjimi gjenocidal serb më 1999.

Osmani në një postim, në Facebook, ka shkruar se: “23 vjet më parë, Sherife Luta u bë personifikim i vuajtjeve të refugjatëve kosovarë. “23 vjet pas, sot ajo ishte e ftuara ime kryesore në manifestimin për ditën e çlirimit”.

“Sherifja është personifikim i qëndresës së popullit dhe kujtesë e eksodit të dhunshëm të shkaktuar nga regjimi gjenocidal serb më 1999. Ajo është një nga gratë tona stoike, të cilat nuk u dorëzuan në luftë, siç nuk dorëzohen as sot në paqe!”, shkroi presidentja./Telegrafi/