Në ditën e dytë të konferencës DISICION 8 ku tema është “Teknologjia, e Vërteta dhe Besueshmëria”, janë duke u adresuar disa çështje kyçe për përhapjen dhe verifikimin e informacionit në një kohë kur dezinformimi është një nga sfidat kryesore për shoqëritë moderne.
Në ditën e dytë të këtij edicioni, një fjalë hyrëse e pati edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenir. Në fjalimin e tij, ai tha se forumet e tilla gjithmonë kanë mbështetjen e qeverisë amerikane, transmeton Telegrafi.
Hovenier foli për rëndësinë që qytetarët të kenë qasje në informacione të sakta, e sidomos gjatë periudhës elektorale, në të cilën Kosova ndodhet aktualisht përpara zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai tha se në Kosovë ka “akterë të huaj keqdashës aktivë që duan të minojnë demokracinë e Kosovës duke i shfrytëzuar përçarjet etnike. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”.
“Prandaj është jetike që qytetarët të kenë qasje në informacionin e saktë që mund të marrin, në mënyrë që ata të marrin vendimet më të mira”, u shpreh ai.
Në fjalimin e tij, ai foli edhe për mbështetjen ndaj mediave të pavarura
“Ne kemi mbështetur mediat e pavarura, duke përfshirë këtu edhe mediat e drejtuara nga pakicat, që i ndihmojnë ata të rriten dhe të japin informacion të saktë për komunitetet e tyre”.
Ai theksoi se për të është kënaqësi të merr pjesë në forume të tilla.
Ndryshe, dita e dytë e konferencës do të fokusohet në qëndrueshmërinë institucionale dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, me një vëmendje të veçantë ndaj integritetit të informacionit në proceset zgjedhore.
Ndryshe, DISICON 8 është një ngjarje e rëndësishme që zhvillohet dy herë në vit, dhe ka bërë një kontribut të madh në adresimin e sfidave të integritetit të informacionit, duke ofruar një platformë të rëndësishme për diskutime dhe bashkëpunim ndërkombëtar në këtë fushë të rëndësishme. /Telegrafi/