Telegrafi

Hovenier fton në takim Hysenin: Zvarritja e dialogut është në interes të Rusisë

Ish-kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, ka njoftuar se sot ka qenë i ftuar për drekë në rezidencën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Gjatë këtij takimi, ai tha se me ambasadorin janë pajtuar se çdo zvarritje e dialogut dhe marrëveshjes me Serbinë, si dhe ruajtja e status-quosë është në interes të Rusisë.

Në një postim në Facebook, Hyseni shkroi se me ambasadorin Hovenier janë pajtuar edhe se status-quoja është kundër interesave afatgjata të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Kosovës.

“Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është prioritet mbi të gjitha prioritet dhe urgjencë për Kosovën. Çdo zvarritje e dialogut dhe marrëveshjes me Serbinë, si dhe ruajtja e status-quosë është në interes të Rusisë, ishte pika për të cilën kishim pajtim të plotë me ambasadorin Hovenier”, shtoi ai./Telegrafi/