Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, është pyetur nga gazetarët edhe rreth publikimit të disa përgjimeve ku e përfshirë është shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe Slavko Simiq i Listës Serbe, ndërsa përmendet edhe Milan Radoiçiq.
Hovenier ka theksuar se Radoiçiq është i sanksionuar nga ShBA-të.
“Nuk mund të flas shumë për këtë. Mund të them vetëm se shpeshherë liderët politikë në parlament kanë biseda të rëndësishme me akterët e opozitës për të arritur rezultate. Kaq mund të them.
Sa i përket Radoiçiqit dua të përsëris se ndonjëherë duket se ka një keqkuptim se çfarë do të thotë të caktohesh nga Thesari i Shteteve të Bashkuara, dhe ne kemi një deklaratë publike nga Thesari i Shteteve të Bashkuara që thotë se ky individ është dikush që i nënshtrohet sanksioneve të Shteteve të Bashkuara si rezultat i konstatimit tonë se ai është i lidhur me krimin e organizuar transnacional.
Ne besojmë se ai është i lidhur me krimin e organizuar transnacional. Ai është caktuar dhe kjo do të thotë se çdo llogari bankare që ai mban në Shtetet e Bashkuara është e ngrirë”, tha ai.
Tutje ambasadori amerikan tha se e ka të vështirë të thotë se janë afër arritjes së një zgjidhje për situatën në veri, përkundër takimit të djeshëm të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Megjithatë ai tha se deeskalimi i situatës në veri duhet të ndodh sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Pas pjesëmarrjes në një aktivitet në Pejë, ambasadori amerikan para gazetarëve theksoi nevojën edhe të zbatimit të plotë të marrëveshjes bazë.
Ndërkaq, shtoi se ShBA-të nuk mund të thonë më shumë se çka ka thënë KFOR-i për rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës./kp/