Site icon Telegrafi

Hovener për rastin e Klan Kosova: Shtypi i lirë dhe i pavarur është shtyllë jetike e demokracisë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, është takuar me drejtuesin dhe themeluesin e Devolli Corporation, Shkëlqim Devolli.

Në një shkrim në Twitter, Hovenier bëri të ditur se me Devollin përveç tjerash ka diskutuar edhe për situatën në të cilën ndodhet televizioni Klan Kosova.

Ambasadori tha se shtypi i lirë dhe i pavarur është një shtyllë jetike e demokracisë.

“Shkëlqyeshëm njohja me Shkëlqimin nga Devolli Corporation, një nga eksportuesit më të mëdhenj të produkteve kosovare në Amerikë. Ne patëm një bisedë të mirë për një sërë temash – përfshirë situatën në Klan Kosova. Siç e kam thënë më parë, shtypi i lirë dhe i pavarur është një shtyllë jetike e demokracisë”, shkroi Hovenier.

Ditë më parë pati reagime edhe nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai ka kërkuar nga autoritetet që ta trajtojnë lëndën për Klan Kosovën me profesionalizëm dhe kujdes.

“Unë po ndaj këto shqetësime në lidhje me zhvillimet e fundit në Klan Kosova. Tërheqja e licencës së biznesit duket joproporcionale. Pres që autoritetet e përfshira ta trajtojnë këtë me profesionalizëm dhe kujdes, nuk ka të bëjë vetëm me ndonjë aktivitet të vogël biznesi, por me lirinë e medias”, ka shkruar ai.

Ambasadori gjerman këto komente i ka bërë pasi ka shpërndarë në Twitter reagimin e disa prej organizatave më kryesore ndërkombëtare për lirinë e medieve, të cilat kanë bërë thirrje që të zgjidhet çështja e certifikatës së Klan Kosovës.

Exit mobile version