Site icon Telegrafi

Hoti: Vjosa Osmani s’ka të ardhme politike jashtë LDK-së, një ditë do të kthehet

Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen brenda 40 ditësh presin rezultat të mirë, pasi janë mobilizuar si parti.

Ai ka thënë se edhe për kandidatin për kryeministër është diskutuar shumë në LDK dhe në fund është arritur një konsensus i plotë i brendshëm.

“Nuk do ta quaja hezitim, por unë kam kërkuar që të diskutojmë brenda partisë për të marrë vendimin më të mirë në rrethanat në të cilat jemi, sepse vetëm kështu e mbërrijmë konsensusin e brendshëm. Është një vendim i përbashkët”, ka thënë Hoti, për RTK.

Sipas tij, nuk ka presion nga kandidatët që të futen në listë, pasi që ekziston një rend shtëpiak në LDK.

Hoti ka thënë se në listën e LDK-së për deputet do të ketë edhe kandidat nga diaspora.

“Vijnë propozime nga degët dhe ato shkojnë përmes kritereve. Pastaj është lista tjetër që është në diskrecionin e kandidatit për emrat tjera. Jam i interesuar që të kemi kandidat nga diaspora, emra të rëndësishmë nga diaspora, njerëz të biznesit. Njerëz që kanë qenë zë i arsyeshëm edhe në shoqërinë civile”, tha ai.

Sipas tij, brenda pak ditësh do të finalizohet lista e kandidatëve të LDK-së për deputetë.

“Unë i prij listës dhe unë e kam diskrecionin e plotë për ta kompezuar listën e plotë të LDK-së. Problem e kemi për të reduktuar numrin e kandidatëve në 110, sepse ka shumë interesim”, ka thënë Hoti.

Hoti ka folur edhe për Vjosa Osmanin, duke thënë se çdo largim i anëtarësisë e dëmton LDK-në, por ka shtuar se të gjithë ata që janë larguar kanë pasur një fat jo të mirë.

Ndërsa ka shtuar se edhe Osmani një ditë do të kthehet në LDK.

“Jam i bindur se Osmani jashtë LDK-së nuk d o të ketë asnjë të ardhme politike. Pres që edhe ajo të kthehet një ditë në LDK”, tha ai.

 

Exit mobile version