Telegrafi

Hoti: Vitit 2014 ishte sfidues për Kosovën

Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka thënë për Telegrafin se viti 2014 ka qenë sfidues për Kosovën si shtet i ri, me demokraci të re. Sipas tij, mbajtja e zgjedhje pati paralizuar punën e institucioneve shtetërore.

Ministri i cili do të drejtojë kuletën e shtetit në katër vitet e ardhshme thotë se në 2015 do të orientohen për implementimin e reformave në politikat fiskale, në arsim e shëndetësi, në rend dhe ligj dhe në fusha të tjera.

“Zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën në qershor paralizuan punën e institucioneve. Këto zgjedhje pasuan zgjedhjet lokale që u mbajtën një vit më herët. Përvoja pas zgjedhjeve ka treguar se Kosova ka nevojë për ndryshime substanciale në kushtetutën e saj dhe ligjet përkatëse për të bërë të mundur themelimin dhe funksionimin normal të institucioneve pas zgjedhjeve. Për shkak të një pauze të gjatë të institucioneve, shumë punë presin për tu kryer, përfshirë ligje në Kuvendin e Kosovës, marrëveshje të ndryshme dhe projekte”, thotë ai.

Ministri Avdullah Hoti, tregon se në Ministrinë e Financave janë përballur me shumë kërkesa që nga dita e parë e mandatit si rezultat i mosfunksionimit të institucioneve për një kohë të gjatë.

“Angazhimi kryesor i imi ka qenë finalizim dhe miratimi i buxhetit për 2015 në Kuvendin e Kosovës. Ne e kemi trashëguar këtë buxhet nga qeveria e kaluar. Kemi bërë kursime maksimale për të bërë të mundur rritjen e buxhetit në disa fusha me prioritet, siç është shëndetësia, si dhe fillimi i pagesës së përvojës së punës. Me këtë rast dëshiroj të falënderoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për përkrahjen e këtyre propozimeve në buxhet nga Qeveria, dhe gjithashtu të falënderoj sindikatat për mirëkuptimin e treguar karshi mundësive buxhetore që ka vendi”, thotë Avdullah Hoti.
Ai thekson se viti 2015 do të jetë vit kur si Qeveri do ti vejnë bazat për zbatimin e programit qeverisës.

“Do të përcjellim në Kuvendin e Kosovës një mori ligjesh për ndryshime për të bërë të mundur implementimin e reformave në politikat fiskale, në arsim e shëndetësi, në rend dhe ligj dhe në fusha të tjera. Përveç kësaj ne po përgatisim një plan pune për veprime të menjëhershme në muajt e partë të vitit 2015. Ne kemi nevojë që të krijojmë një sinergji në mes të të gjitha institucioneve të Kosovës, Kuvendit, Qeverisë dhe Gjyqësorit, për të bërë të mundur rritjen e efikasitetit institucional të vendit. Ne kemi nevojë të përmbushim sa më parë kushtet për liberalizim të vizave. Ne kemi nevojë për krijim të kushteve që qytetarët tanë të mos marrin rrugën e migrimit ilegal”, ka thënë ministri i Financave Avdullah Hoti. /Telegrafi/