Telegrafi

Hoti: I vetmi sukses që ka theksuar raporti i Komisionit Evropian është Demarkacioni

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për raportin e BE-së për Kosovën tha se i vetmi sukses që është shënuar në këtë raport është ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, e që sipas tij u miratua falë angazhimit të LDK-së.

Hoti tha se raporti thekson edhe tendencën për t’i ikur obligimeve ndërshtetërore.

“Tek kriteret politike të këtij Raporti, derisa ai i vitit 2016 e përmend polarizimin mes qeverisë dhe opozitës, që është normale në fakt raporti i fundit vë në dukje polarizimin brenda vet koalicionit qeverisës dhe brishtësinë e koalicionit, i cili tanimë ka humbur dhe shumicën e thjeshtë”, tha Hoti.

Hoti tha se raporti thekson se Qeveria ka dështuar të adresojë rekomandimet e dhëna gjatë vitit 2016, që tregon një mungesë serioziteti përballë këtyre obligimeve ndërkombëtare.