Telegrafi

Hoti: Unë do të udhëheq me dialogun, këtë e ka të qartë edhe presidenti Thaçi

Avdullah Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka treguar se kush do të udhëheqë me dialogun, ndërkohë që tha se edhe vet presidenti Thaçi e ka të qartë këtë.

Hoti këtu përmendi Kushtetutën duke thënë se është e qarë se kompetencat e udhëheqjes së dialogut i takojnë kryeministrit të vendit. Ai madje tha se këto kompetenca nuk do t’i transferoj të askush.

“Nëse e shihni Kushtetutën është e qartë se kush udhëheqë me procesin e dialogut, këtë e ka të qartë edhe presidenti. Unë do t’i ushtroj plotësisht kompetencat e mia, nuk do t’i transferoj te askush. Edhe presidenti e ka të qartë kush do të udhëheqë me dialogun”, tha Hoti.

Lexo po ashtu Thaçi për udhëheqjen e dialogut: Do të ndihem mirë pranë kryeministrit Hoti

Tutje, Hoti tha se agjenda e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, është plotësisht e koordinuar në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Grenell e sqaroi shumë mirë, agjendë e dialogut është plotësisht e koordinuar në mes të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Hoti.

Tutje, ai tha se agjendën ekonomike dhe atë politike do t’i shtyjë përpara së bashku me BE-në dhe SHBA-në.

“Për neve partneret e BE-së dhe SHBA-së janë kyç. Ne duhet ta shtyjmë përpara një agjendë ekonomike e mbështetur nga SHBA-ja dhe përmes BE-së të shtyhet përpara procesi politik i dialogut”, thotë Hoti në t7.

Në fund, Hoti kujtoi edhe Samitin e Parisit që do të ndodhë në mes të korrikut.

“Në Washington do të sqarohen shumë gjëra, e pas Washingtonit do të ndodhë Samiti i Parisit që do të ndodhë kah mesi i korrikut”, shtoi Hoti.

Ndryshe, sot presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se do të ndihet mirë që të jetë pranë kryeministrit Avdullah Hoti në procesin e dialogut.

“Për të hequr dilemat e juaja por edhe të opinionit unë do të ndihem mirë që të jem më edhe pranë kryeministrit Hoti, nuk ka dilema në këtë drejtim”, tha Thaçi.

Presidenti theksoi se Bashkimi Evropian në këtë proces po hynë me një hendikep të madh atë të mos liberalizimit të vizave, duke shtuar se pavarësisht kësaj dhe deklaratave skeptike lidhur me takimin në Washington, e ardhmja e Kosovës do të jetë evropiane.