Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka reaguar pas kritikave se ka thyer protokollet, duke thënë se në momentin që është testuar për COVID-19 ka zbatuar rekomandimin e mjekëve dhe është izoluar.
Hoti në një postim në rrjetin social Facebook u është përgjigjur kritikave se nuk është izoluar.
Lexoni të plotë postimin e Hotit:
“Edhe pse nuk kam pas asnjë shqetësim serioz, me paraqitjen e një kolle te lehte te dielën, bashkëpunëtorët me rekomanduan te testohem. Testimin e kam bere te dielën rreth orës 16.
Ne momentin qe jam testuar, jam izoluar ne pritje te rezultatit, pasi kështu është protokolli i rekomanduar nga mjeket.
Sapo e kam marre rezultatin, e kam bere publik. Kushdo qe deklaron ndryshe nuk e thotë të vërteten”.
Ndryshe, deputetja Mimoza Kusari Lila ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti pas vizitave të se dielës duke thënë se duhej të respektonte protokollin e IKSHPK-së që pas testimit për COVID-19 personi duhet të vetëizolohet.
Kusari-Lila u shpreh se ka një arsye më shumë për të shkarkuar Qeverinë Hoti për shkak të papërgjegjshmërisë së kryeministrit. /Telegrafi/