Site icon Telegrafi

​Hoti thotë se përfundimi i dialogut Kosovë-Serbi është çështje muajsh

Foto: Arkiv

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është shprehur optimist që përfundimi i dialogut Kosovës-Serbisë është çështje muajsh.

Sipas tij, ky dialog është duke u zhvilluar në përputhje me parimet që janë vendosur në korrik të këtij viti.

Përveç dialogut, ai në një konferencë për medie foli edhe për takimin i cili pritet të mbahet me partitë politike ku temë diskutimi është zgjidhja e postit të presidentit.

“Dialogu asnjëherë nuk ka qenë teknik, dialogu është duke u zhvilluar në përputhje me parimet që i kemi vendosur në fillim të procesit qysh në korrik, në mes të koordinatorëve të të dyja vendeve për temat që janë shumë specifike. Atë që unë kam thënë vazhdimisht e them edhe sot se ky është një proces i kufizuar në kohë dhe kjo kohë është çështje muajsh. Unë besoj që për disa muaj vijmë në fund të këtij procesi. Unë do doja që të vijmë në fund me marrëveshje përfundimtare për njohje ose do konkludojmë se nuk do merremi vesh për marrëveshje përfundimtare reciproke. Por pavarësisht sfidave që dialogu është zhvilluar relativisht mirë, me progres në disa prej temave”, tha ai.

Hoti ka folur edhe për postin e presidentit.

Siç transmeton KP, Hoti nuk ka dhënë datë se kur mund të mbahet tryeza e partive politike ku do diskutohet për postin e presidentit.

Ai ka thënë se nëse nuk ka dakordim për postin e presidentit, duhet të ketë dakordim për datën e zgjedhjeve.

“Sa i përket tryezës unë po pres që të dakordohemi dhe të caktojmë datën sa më parë, ende nuk është caktuar kjo datë por pres që këto ditë këtë javë javën tjetër të mblidhemi sepse nuk është çështje urgjente sa është e nevojshme që të adresohet dhe të marr rrugë se kah do të shkojmë… Nuk po jap datë por shpejt do të dakordohemi për këtë tryezë të partive politike për të vendosur për dy gjëra për të parë nëse ka gatishmëri që të negociojmë për zgjedhjen e presidentit dhe nëse gatishmëri pastaj ne duhet të diskutojmë me partitë politike për parimet për të identifikuar një emër konkret për president të vendit. Nëse nuk ka gatishmëri të tillë atëherë ne duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve”, tha Hoti.

Exit mobile version