Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se sovraniteti dhe kufiri i Kosovës mbrohen me vendime kushtetuese.
Hoti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj po shkelin kushtetutën, ndërsa kryeparlamentari Veseli është vetëm spektator.
Postimi i plotë:
Sovraniteti dhe kufiri i Kosovës mbrohen me vendime kushtetuese.
Kryeministri, kur e ka deleguar dialogun me Serbinë tek Presidenti, e ka shkelur Kushtetutën duke mos ushtruar detyrimet e tij kushtetuese.
Presidenti po e shkel çdo ditë kushtetutën duke u angazhuar, brenda dhe jashtë Kosovës, për korrigjim të kufijve.
Kryeparlamentari është vetëm spektator, bënë fushatë në terren me fjalë të ashpra pa asnjë seriozitet institucional, ndërkaq e quan veten shef të koalicionit PAN.
Për t’i mbuluar dështimet dhe angazhimet e tyre jo kushtetuese, Presidenti, Kryeministri e Kryeparlamentari kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri tjetrit. Në një fushatë të ashpër, ata po i shtyjnë para agjendat e tyre klanore e partiake, duke e dëmtuar shtetin e Kosovës.
Për të dalë nga kjo situatë, sa më parë duhet tu japim mundësi qytetarëve të shtetit sovran të Republikës së Kosovës në kufijtë e 17 shkurtit 2008, të thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira. /Telegrafi/