Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka takuar përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, i cili kishte karakter konsultativ dhe informues.
Sipas njoftimit, ky takim ishte para vendosjes së masave të reja për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19, të cilat sot pritet të bëhen publike.
“Masat e reja janë propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në përputhje me protokollet e përdorura në vende te BE-së, konform gjendjes pandemike në vend. Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit shprehën mirëkuptim për masat e reja. Por nënvizuan nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga ana e Qeverisë për këtë komunitet”, thuhet në njoftim.
Në takim u theksua nevoja e vazhdimit të punës së Grupit Koordinues për të menaxhuar situatën me pandeminë COVID-19, në të cilin pjesëmarrës janë odat ekonomike, anëtarë të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime. /Telegrafi/