Site icon Telegrafi

Hoti takon ambasadorët e QUINT-it, shpreh vendosmëri në luftën kundër krimit dhe korrupsionit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, u takua me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, me të cilët diskutoi bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, me theks të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në njoftimin e lëshuar nga Kryeministria, thuhet se kryeministri Hoti u shpreh i vendosur për të fuqizuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe tregoi gatishmërinë e tij për të punuar së bashku në këtë drejtim me qeveritë e vendeve anëtare të QUINT-it.

Në grupin e QUINT-it bëjnë pjesë ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Takimi i së hënës u zhvillua pas një sërë kritikash në adresë të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task-Forcës anti-Korrupsion.

Më 19 tetor, Qeveria e Kosovës ka vendosur ta mbyllë këtë task-forcë, që ishte pjesë e Policisë së Kosovës, duke vlerësuar se çështjet me të cilat merrej ajo, tani duhet të rregullohen me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial. /Telegrafi/

Exit mobile version