Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, së bashku me ekipin përcjellës, po vazhdojnë takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
Në një njoftim për media, thuhet se ministri i Financave Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik Blerand Satvilecin, guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza dhe ekipin përcjellës në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, u takua me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore Cyril Muller, drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore Franciscus Godts, dhe drejtoreshën për Ballkan Perëndimor Ellen Goldstein.
‘Në këto takime u diskutua për zhvillimet e fundit ekonomike në Kosovë, progresin në implementimin e projekteve të financuara nga Banka Botërore, si dhe për financimin e projekteve të reja. Përfaqësuesit e Bankës Botërore falënderuan ministrin Hoti për bashkëpunimin dhe u zotuan për mbështetje të mëtutjeshme të projekteve me interes publik në Kosovë, të cilat projekte tani më janë aprovuar nga Qeveria e Kosovës, si pjesë e listës së projekteve për financim përmes Klauzolës për Investime”, thuhet në njoftim.
Në këto takime u diskutua edhe për strategjinë e re të Bankës Botërore për Kosovë dhe nevojën që në këtë strategji të reflektohen prioritetet e Qeverisë së Kosovës.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore u pajtuan që gjatë procesit të draftimit të kësaj strategjie të zhvillojnë konsultime me Qeverinë e Kosovës, për tu siguruar se drafti final i merr parasysh orientimet strategjike të Qeverisë./Telegrafi/