Site icon Telegrafi

Ekzekutimi i pagesave, Hoti thotë se përfituesit më të mëdhenj janë bizneset e vogla

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se ka filluar ekzekutimi i pagesave për biznese në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Hoti ka thënë se kriteret për këto biznese kanë qenë të qarta, transmeton Telegrafi.

“Ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë i datës 28 shtator 2020 me të cilin parashihej mbështetje direkte për sektorin privat nga programi i rimëkëmbjes ekonomike i miratuar në Qeveri kohë më parë. Masat që janë paraparë në këtë vendim, janë punuar plotësisht në koordinim me biznese. Është menduar që ne të ndërhyjmë direkt tek bizneset që janë prekur nga pandemia. Kriteret kanë qenë të qarta, shumë objektive dhe në bazë të vendimit të qeverisë është marrë parasysh numri i të punësuarve në ato biznese”, tha ai para mediave.

Lexo po ashtu Ekzekutohen pagesat prej 37.7 milionë euro ndihmë për bizneset në kuadër të Fondit të Rimëkëmbjes

Hoti ka thënë se përfituesit më të mëdhenj janë bizneset e vogla.

“Nga shuma prej 60 milionë euro në dispozicion sot është shpërndarë 37.3 milion. Nesër do të paguhet edhe pjesa tjetër”, pohoi ai.

Më tej ai shtoi se subvencionimi shkon nga Thesari i Kosovës në llogaritë bankare të bizneseve pa ndonjë ndërhyrje./Telegrafi/

 

Exit mobile version