Ne jemi një vend që kemi borxhin publik të ulët. Borxhi publik i ulët është vetëm 13 % i bruto prodhimit vendor. Çdo qytetar i Kosovës ka barrë fiskale më të ulët sesa qytetari i Shqipërisë apo Maqedonisë, ka thënë Avdullah Hoti, ministër i Financave në Zona B të Klan Kosovës.
Hoti ka shpalosur punën e Administratës Tatimore të Kosovës dhë Doganave si dhe për sukseset e prokurimit publik.
“Vitin e kaluar e kemi përmbyllë me rritje, kemi mbledhë 156 milionë më shumë, kemi pas rritje ekonomike 3.5 %.”
“U jam mirënjohës këtij menaxhmentit të ATK-së dhe doganave. Të dyja këto janë duke përforcuar jashtëzakonisht mirë.”
“Prej 1 prillit të këtij viti kemi filluar prokurimin publik në të gjitha agjencionet e prokurimit të mallrave dhe shërbimeve, si ato që merren me naftë p.sh. Bëhet fjalë për tre-katër milionë kursime,” ka thënë Hoti, njofton Klan Kosova.tv
Më tej ministri i Financave ka sqaruar çështjen e kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për autobusët që do të bliheshin nga Komuna e Prishtinës, gjithashtu ka treguar se ligji për Prishtinën është në zhvillim.
“Nuk është diskrecion i ministrisë së Financave e as ministrit për ta lëshuar garancionin për kredinë e BERZH-it për ndërmarrjen e autobusëve, është çështja të përmbyllen kushtet ligjore.”
“Është jo korrekte nga ana e Komunës së Prishtinës për ta aprovuar këtë nismë, pasi vetë ata e kanë bllokuar për pesë muaj Kuvendin e Kosovës, duhet të vijë vendimi nga Kuvendi Komunal dhe të përmbushen kushtet ligjore dhe nuk ka arsye nga ministria e Financave që kjo të ndalohet”.
“Për ligjin e Prishtinës është duke u punuar dhe shpejt do të shkojë në Kuvend,” ka përfunduar Hoti.