Telegrafi

Hoti: Sivjet darkën e Lamës do ta shënojmë në mënyrë simbolike

Kryeministri Avdullah Hoti bëri të ditur se të enjten e ardhshme do të shënohet Festa e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës, të cilën ilirët e vjetër, e shënonin përvjet si festë kulturore popullore rreth datës 23 tetor.

Ai deklaroi se sivjet, për shkak të rrethanave specifike të pandemisë COVID-19, kjo festë do ta shënohet në mënyrë simbolike, me një numër të kufizuar të të ftuarve.

“Festa e Darkës së Lamës është shumë e vjetër. Autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit. Në vitin 2002, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova e pati shpallur Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës festë tradicionale shtetërore të Republikës së Kosovës. Njësoj si të parët tanë, dardanët ilirë, edhe ne, në këtë ditë të rëndësishme, do ta falënderojmë Zotin për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe do t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë edhe më shumë të mira”, tha Hoti.

Më tej theksoi se kjo ditë na përkujton se duhet t’i përkushtohemi edhe më shumë tokës së Kosovës dhe prodhimeve të shumta që na jep ajo.

Ai shtoi se Qeveria ua ka dyfishuar ndihmat bujqve dhe prodhuesve, në mënyrë që sofrat tona t’i shtrohen me prodhimet shqiptare.

“Sivjet, për shkak të rrethanave specifike të pandemisë COVID 19, këtë festë do ta shënojmë në mënyrë simbolike, me një numër të kufizuar të të ftuarve. Mirëpo, në të ardhmen, këtë festë kulturore të traditës sonë të begatë do ta shënojmë së bashku, dhe me miqtë tanë të shumtë, ashtu siç e shënonim në kohën e Presidentit Rugova, ashtu siç e kanë shënuar të parët tanë”, shkroi Hoti, njofton Telegrafi.