Telegrafi

​Hoti: Shumë shpejt do të fillojmë më zbatimin e masave për rimëkëmbjen ekonomike

Pas mbledhjes së qeverisë ku u miratuan ndryshimet e propozuara për ndarjen buxhetore për vitin 2020, kryeministri Avdullah Hoti tha para gazetarëve se kanë vendosur hapin kryesor drejt fillimit të zbatimit të planit për rimëkëmbje ekonomike. Hoti tha se shpejtë do të dërgojnë buxhetin në Kuvend dhe i bëri thirrje institucionit ligjvënës që sa më parë të fusin në procedura këtë ligj.

“Është dashur t’i mobilizojmë mbi 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave e 232 milionë euro si rezultat i pandemisë nga mungesa e aktiviteteve, dhe gjithashtu për të themeluar, për të krijuara fondin për rimëkëmbje ekonomike të Republikës se Kosovës në shumë prej 385 milionë euro. Ky fond e kompenson plotësisht rënien ekonomike që kemi pas gjatë këtyre muajve për shkak të pandemisë. Ky fond do të ndahet tash për masat për rimëkëmbje ekonomike që i kemi pjesë të programit qeverisës”, tha ai, njofton KP.

Kryeministri Hoti ka thënë se shumë shpejt do të fillojnë më zbatimin e masave për rimëkëmbjen ekonomike.

“Do të arrijmë besoj në një periudhë shumë të shkurtë të fillojmë zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, jo vetëm masat për emergjence për të mbuluar nevojat që janë shumë më urgjente por të fillojmë drejt rimëkëmbjes ekonomike në mënyrë që të kompensojmë ekonominë për ndikimin nga pandemisë Covid19”, tha Hoti.

E ministrja e Financave, Hykmete Bajrami tha se me rishikimin e buxhetit nuk kanë hequr asnjë projekt kapital.

“Ne sot aprovuam një buxhet prej 2 miliardë e 620 milionë euro. Objektivat kryesore kanë qene që fillimisht të adresojmë rënien e të hyrave prej 232 milionë euro dhe të mobilizojmë fondin për rimëkëmbje ekonomike, masat e pakos emergjente dhe të rimëkëmbjes janë së bashku janë në një fond dhe aty kemi 385 milionë euro. Jemi detyruar që gjatë rishikimit, në mënyrë që të mobilizojmë të gjitha këto fonde, të bëjmë edhe shkurtime mirëpo kemi qenë të kujdesshëm sepse nuk kemi larguar nga buxheti i vitit 2020 asnjë projekt të vetëm kapital”, tha Bajrami.

Ajo tha se në rishikim kanë kursyer në mallra dhe shërbime.

Bajrami tha se nuk prekur buxhetin e komunave të Kosovës.