Telegrafi

Hoti: Seanca të mbahet nesër

Kryetari i grupit parlamentar të koalicionit LDK–AKR–Alternativa (LAA), Avdullah Hoti, ka thënë e përkrahin thirrjen e seancës parlamentare për këtë të enjte, nga ana e kryesuesit, Adem Mikullovci.

Ai tha se e mbështesin seancën e nesërme pasi nuk duhet proceset të shtyhen.

“Kryesuesi duke e shfrytëzuar të drejtën e tij e ka thirrur seancën. Unë mendoj që sjelljet e tilla janë zhagitje të konfigurimit të institucioneve. Ftojmë koalicionin PAN, që të marrë pjesë dhe ta përdorin të drejtën kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Ne e kemi obligim para qytetarit të vendit të sillemi në mënyrë konstruktive”, ka shtuar Hoti, raporton Telegrafi.

Sipas tij, gjuha e përdorur nga koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, nuk i bënë nder as koalicionit dhe as institucioneve të vendit, duke shtuar se PAN-i është pakicë në legjislativin e vendit dhe e kanë të pamundur që t’i themelojnë institucionet e vendit.

“Nuk e di ku qon kjo rrugë. Është mirë që të tregoni që nuk e keni shumicën, për të themeluar institucionet e vendit, dhe t’i hapnit rrugë themelimit të institucioneve”, ka shtuar ai. /Telegrafi/