Site icon Telegrafi

Hoti: Së shpejti vendosim marrëdhënie diplomatike me Izraelin

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se pas njohjes së shtetit të Kosovës ( dy javë pas takimit dhe marrëveshjes në Washington), Kosova do të thellojë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.

Në manifestimin e organizuar për Vitin e Ri Hebraik në Kosovë, Avdullah Hoti ka deklaruar se kjo datë, kësaj radhe është e rëndësishme pasi shënon njohjen reciproke Kosovë-Izrael,transmeton RTK.

Madje ai shtoi se komuniteti hebraik i Kosovës, është hallkë e rëndësishme në këto marrëdhënie.

“Ne do të vendosim së shpejti marrëdhëniet tona diplomatike me shtetin mik të Izraelit. Përtej kësaj do të thellojmë marrëdhëniet tona në çdo drejtim”, tha Hoti.

“Uroj që gjatë ditëve festive të keni pasurim shpirtëror gjatë leximit të “machzor”. Zëri nga buria e punuar nga briri është përkujtesë për Hebraikët se Zoti është Mbreti i tyre. Sipas traditës, pas shërbimit fetar, Ju i ktheheni tryezës familjare për ushqim dhe meditim. Ashtu siç është ushqimi Juaj i preferuar për këtë festë: molla me mjaltë: Uroj që ashtu t’ju shkojë tërë viti” tha Hoti.

Me këtë rast, Hoti kujtoi se Republika e Kosovës është demokraci parlamentare sekulare, e cila garanton lirinë dhe barazinë fetare, duke theksuar se mirëpresin pjesëmarrjen e kulturës Hebraike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet institucionale.

“Kësaj radhe Rosh Hashanah është i posaçëm, është festë e cila shënon njohjen reciproke Kosovë – Izrael. Komuniteti Hebraik i Kosovës është hallkë e rëndësishme në këto marrëdhënie tona” tha Hoti, duke uruar të gjithë besimtarët festën e Rosh Hashanah 5871.

Në fund përmes një letre është përcjellur një përshëndetje nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu drejtuar popullit të Kosovës dhe komunitetit hebraik të Kosovës.

Lexo po ashtu Netanjahu u drejtohet kosovarëve: Zgjas dorën e miqësisë, mund të arrijmë shumë bashkë

Po ashtu, në këtë ngjarje është dhënë edhe një video mesazh nga Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit Trump.

Exit mobile version