Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur shqetësim lidhur me Ligjin e ri të tatimit në pronë, i cili parashikon rritjen e normave tatimore nga janari i vitit 2025.
Sipas tij, ky ligj do të ketë pasoja të rënda për pronarët dhe ekonominë.
“Me normat e reja, tatimi në pronë për pronat me vlerë të madhe do të rritet deri në trefish. Kjo është një barrë e madhe për ata që kanë investuar në pasuri. Prona me vlerë 1 mil euro ngarkohet me 2,400 euro tatim; prona me vlerë 5 mil euro ngarkohet me 18,400 euro tatim; prona me vlerë 10 mil euro ngarkohet me 43,400 euro tatim.”, deklaroi Hoti.
Ai theksoi se ligji nuk merr parasysh faktorë të rëndësishëm, siç janë të ardhurat e pronarëve, të cilat tashmë janë tatimuar më parë.
Hoti gjithashtu kritikoi vendimin për të tatimuar tokat bujqësore të kultivuara, duke thënë: “Këto toka ishin të liruara për të inkurajuar prodhimin bujqësor. Rritja e tatimit do të dekurajojë investimet në bujqësi dhe do të dëmtojë prodhimin vendor.”
Ai përmendi se përvojat ndërkombëtare nuk rekomandojnë norma të tilla progresive, duke shtuar: “Këto ndryshime janë bërë pa analizë të duhur dhe pa konsultim me ata që preken, sidomos bizneset.”/Telegrafi/