Enver Hoti nga Nisma për Kosovën në emisionin “Rrokum Roll” të TV Rrokum, ka folur lidhur me takimin që do të mbahet me 3 gusht, ku do të diskutohet për Demarkacionin, para se të procedohet në Kuvend për miratim.
“Ky takim që po quhet debat, ende nuk e dimë se çfarë formati ka, por ne do të marrim pjesë”, ka thënë Hoti, duke bërë me dije se ka informacione se Qeveria ka ftuar njerëz në këtë takim që të instrumentalizuar dhe të diktuar se çfarë do të prezantojnë aty.
“Janë 40 njerëz nga departamente të ndryshme të qeverisë, që do të vijnë për t’i shërbyer atyre në debat, për të penguar të vërtetën , për ta sakatuar Kosovën”, ka thënë Hoti.
Ai i ka bërë thirrje deputetëve të pozitës që i kanë bërë qëndrimet e tyre publike kundër Demarkacionit, që ta mbajnë këtë qëndrim edhe në vazhdim, ani pse siç ka thënë ai, pushteti po i shantazhin disa prej tyre me dosje.
Hoti ka thënë se në fillim edhe Mali i Zi ka shprehë gatishmërinë me qenë në funksion të rishikimit të marrëveshjes, por Mustafa e Thaçi kanë futur deputetët e tyre në lojë që mos të ndryshohet kjo marrëveshje.
“Gjatë zhvillimit të takimit për Demarkacionin, ne edhe mundemi me u tërheq, nëse e shohim se po bëhen lojëra”, ka thënë Hoti duke sqaruar se “sa i përket rezistencës tonë, kemi me bërë me të gjitha mundësitë që i kemi si deputetë, duke bërë një përpjekje maksimale që kjo marrëveshje mos të kalojë”, tha ai. /Telegrafi/