Site icon Telegrafi

Hoti reagon pas deklaratës së SHBA-së: LDK-ja është kundër mashtrimit, e jo kundër partnerëve të shtetit të Kosovës

Deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklaratës së SHBA-së lidhur me atë se është e shqetësuar për qëndrimin e dy partive opozitare, PDK dhe LDK, kundër propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një shkrim në llogarinë zyrtare në Facebook, Hoti k thënë se LDK-ja është kundër mashtrimit, e jo kundër partnerëve të shtetit të Kosovës.

“Forca politike që udhëheq me vendin i ka mashtruar qytetarët për 15 vite, sepse:

– e ka kundërshtuar Planin e Ahtisarit që ka sjellë pavarësinë;

– e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit që ka trasuar rrugën e integrimit evropian të Kosovës;

– e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, e cila e ka sjellë njohjen nga Izraeli dhe përfitime të tjera;

– e ka kundërshtuar me dhunë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, pavarësisht thirrjes nga zyrtarët më të lartë të SHBA-së për të mbështetur atë, e sot e konsideron demarkacionin si çështje të kryer;

– i ka kundërshtuar të gjitha marrëveshjet e dialogut në 10 vitet e fundit, disa prej të cilave kanë mundësuar shtrirje të sovranitetit në të gjithë territorin e vendit dhe i kanë siguruar Kosovës prezencë në forume ndërkombëtare;

Lexo po ashtu ShBA të shqetësuara me kundërshtimin e PDK-së dhe LDK-së ndaj propozimit të BE-së

– e ka kundërshtuar me dhunë marrëveshjen e parimeve të vitit 2015, e cila siguron zbatim të Kushtetutës së Kosovës në zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013”, ka thënë Hoti.

Sipas tij e njëjta forcë politike pranon të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake dhe thirret në elemente specifike të atyre marrëveshje që sigurojnë kushtetutshmërinë në zbatim.

“LDK-ja është kundër mashtrimit. LDK-ja është për shtetin e Kosovës. LDK-ja është për ruajtje të partneritetit me miqtë”, shkroi Hoti.

Deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare “nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”, ka thënë të hënën një zëdhënëse e Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së”, ka thënë një zëdhënëse e ambasadës. “Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”./Telegrafi/

Exit mobile version