Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka thënë që është e nevojshme që të rritet vetëdija e qytetarëve për seriozitetin e situatës me pandeminë.
Hoti përmendi se ka pasur raste kur edhe personat që kanë rezultuar pozitiv nuk kanë qëndruar të izoluar.
“Duket se ka nevojë shumë më tepër që të rritet vetëdija e qytetarëve sa i përket seriozitetit të situatës. Ka raste kur qytetarët kanë rezultuar pozitivë nuk kanë qëndruar të izoluar. Jemi duke përcjellë gjendjen në çdo komunë dhe duke marrë veprimet adekuate në përputhje me situatën. Kanë filluar punën spitalet rajonale, për të krijuar kapacitetet shtesë me shtretër dhe pajisje përcjellëse dhe riorganizimin e komplet të kapaciteteve njerëzore, për klinikat ku ka më së shumti nevojë për t’u përballur me këtë situatë. Janë aktivizuar shtabet lokale plotësisht. Është bërë plani i organizimit të Policisë për t’u dalë në ndihmë komunave. Ajo që është me interes është që do të kërkojmë të zbatohet është funksionalizimi i shtabeve të fshatrave”, tha Hoti pas mbledhjes së Komitetit për Menaxhim të Situatës me COVID-19”.
Sipas tij janë shtuar kapacitetet e inspektimit dhe rezultatet e para tashmë janë parë, ku janë shqiptuar edhe gjoba për subjektet që nuk kanë përfillur vendimet e Qeverisë.
Hoti tha se po mendojnë që të bëjnë testimin e një mostre në nivel vendi, për të pasur pasqyrë më të qartë të shkallës së infektimit në nivel vendi. /Telegrafi/