Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se deri më tani ka zero transparencë nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit, për informimin e publikut me përmbajtjen e propozimit franko-gjerman.
Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka thënë se është obligative të informohet publiku rreth këtij propozimi.
“Deri tani kemi parë zero transparencë nga Qeveria ndaj Kuvendit të Kosovës, si dhe publikut në përgjithësi, për propozimin franko-gjerman. Nëse Qeveria vlerëson se ky propozim është bazë e mirë për të lëvizur më lehtë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe njohjes reciproke, do të duhej të informohej Kuvendi dhe publiku në mënyrë që të sigurohej konsensusi politik dhe shoqëror. Për më tepër, informimi i Kuvendit nuk është në diskrecion të Qeverisë, por është obligim kushtetues i Qeverisë ndaj Kuvendit pavarësisht se çfarë mendon Qeveria për këtë propozim”, shkroi Hoti në Facebook.
Ai ka theksuar se është e domosdoshme që debati formal mes forcave politike për dialogun të zhvillohet në Kuvend.
“Vetëm kështu (1) sigurohet transparenca ndaj publikut, (2) përmbushet obligimi kushtetues për raportim dhe (3) ndërtohet konsensusi politik e shoqëror”, ka shkruar Hoti. /Telegrafi/