Site icon Telegrafi

Hoti: Qeveria do t’i dyfishojë subvencionet për bujqësinë

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe nga ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ka marrë pjesë në hapjen simbolike të fushatës së korrje-shirjeve të grurit, që nisi sot në Shirokë të Suharekës, më konkretisht në 54 hektarët e mbjellë me grurë të Nisret Bajraktarit.

Hoti, gjatë këtij aktiviteti, ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës do t’i dyfishojë subvencionet për sektorin e bujqësisë, porse kjo nuk mund të bëhet pa miratimin e buxhetit dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Qeveria do të jetë pranë bujqve për t’i ndihmuar ata në tejkalimin e gjitha problemeve”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se ky vit na ka treguar se sa e rëndësishme është që të kemi prodhues vendorë e bujq të vyeshëm.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm, kryeministri Hoti theksoi se e dinte që disa deputetë dhe një pjesë e stafit të Kuvendit janë të prekur nga koronavirusi, por është nevojë urgjente të gjendet një formë për mbajtjen e një seance për ta kaluar buxhetin.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, rikujtoi se Ministria e Bujqësisë ka ndarë për bujqit e vendit 24 milionë euro në formë të subvencioneve dhe 29 milionë të tjerë në formë të granteve, ndërkohë që Qeveria ka në plan që këto investimeve të dyfishohen.

Exit mobile version