Site icon Telegrafi

Hoti: Qeveria ka bërë progres në menaxhimin e financave publike

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha të premten se Qeveria e Kosovës ka bërë progres të konsiderueshëm në menaxhimin e financave publike.

Këto komente Hoti i bëri në konferencën e organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe SIGMA (Përkrahja për Përmirësimin e Qeverisjes dhe Menaxhimit), me temën  “Sfidat në Reformat e Administratës Publike në vendet e Ballkanit Perëndimor” e cila po mbahet në Paris.

Hoti gjithashtu i informoi të pranishmit mbi ndryshimet në procesin dhe kualitetin e vlerësimit të ndikimit buxhetor të të gjitha iniciativave të reja të Qeverisë, ku prej fillimit të implementimit të Udhëzimit të ri Administrativ dhe Manualit përcjellës, të gjitha inputet e reja që kalojnë përmes aprovimit në Qeveri janë të një kualiteti shumë më të mirë, duke informuar në tërësi vendimmarrësit mbi implikimet buxhetore e fiskale të të gjitha iniciativave që prezantohen në Qeveri për aprovim.

“Kjo ndihmon në masë të madhe në prioritizimin e iniciativave dhe reformave, varësisht nga mundësit buxhetore të vendit”, tha ai.

Ai gjithashtu theksoi se një fushë tjetër me rëndësi e cila lidhet me transparencën dhe përgjegjësinë në menaxhimin e financave publike, ka të bëjë me projeksionet ekonomike e fiskale ku tha se Ministria e Financave ka ngritur nivelin e transparencës duke i bazuar këto projeksione tërësisht në variabla ekonomike, të lidhura me supozime reale. /Telegrafi/

 

Exit mobile version