Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj s’është asgjë më shumë sesa një konglomerat i formuar nga pazaret e shumë vetave.
Ai ka thënë se edhe sot në mbledhjen e kryesisë u tentua të shtyhet debati, me të vetmen arsye se kjo Qeveri është pa program.
“Ne do të jemi në seancë dhe do të japim qëndrimet tona për ekspozenë e varfër që u paraqitë dje në seancë”, tha Hoti.
Sipas Hotit, qeveria Haradinaj e ka të pamundur mbijetesën pa Listën Serbe, rrjedhimisht Beogradin.
Njeriu më i votuar në zgjedhjet e fundit nga LDK ka thënë se në seancën e sotme të jashtëzakonshme të caktuar për në orën 12:00, kryeministri i ri dhe ministrat e tij e kanë për detyrë të vijnë në sallën e Parlamentit dhe të tregojnë se cili është plani i tyre qeverisës.