Site icon Telegrafi

Hoti: Prokurimi elektronik refomë në menaxhimin e parasë publike

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se me propozimin e kësaj ministrie në mbledhjen e Qeverisë me 15 mars është vendosur për afatet kohore të shtrirjes buxhetore. Më poshtë është postimi i plotë i Hotit:

“Prokurimit elektronik – reformë kyçe në menaxhimin e parasë publike

Në mbledhjen e Qeverisë të datës 15 mars 2016, me propozim të Ministrisë së Financave dhe në konsultim të ngushtë me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, u vendos për afatet kohore të shtrirjes së prokurimit elektronik në të gjitha organizata buxhetore.

Nga muaji prill 2016, prokurimi do të jetë elektronik në të gjitha prokurimet e centralizuara që zbatohen nga Agjencia Qendore e Prokurimit. Këtu hyjnë prokurimet e shumë mallrave dhe shërbimeve që përdoren nga të gjitha organizatat buxhetore bazuar në udhëzimin administrativ të miratuar në Qeveri.

Nga muaji shtator 2016, prokurimi elektronik do të shtrihet në të gjitha organizatat e nivelit qendror.

Ndërkaq, nga janari 2017, prokurimi elektronik do të aplikohet edhe në nivelin lokal.

Përmes këtij projekti që mbështetet nga Banka Botërore, do të mundësohet efikasitet në shpenzime publike, rritje të konkurrencës në tenderime publike, transparencë e plotë dhe llogaridhënie. Prokurimi elektronik i mundëson KRPP-së monitorim të plotë të aktiviteteve të prokurimit.

Qeveria do t’i jap mbështetje Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe Agjencisë Qendrore të Prokurimit në zbatimin e plotë të prokurimit elektronik”, ka shkruar Hoti. /Telegrafi/

Exit mobile version