Site icon Telegrafi

Hoti: Projektbuxheti mund të përfundoj në Gjykatë Kushtetuese

Foto: Arkiv

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka komentuar Projektbuxhetin e vitit 2023.

Hoti në seancën plenare që po diskutohet për buxhetin ka thënë se ekziston një nen që prek buxhetin e komunave, por sipas tij nëse kalon ky Projektligj do të përfundoj në Gjykatë Kushtetuese.

“Atë që kemi kërkuar në buxhet është reflektimi i premtimeve të juaja elektorale, por edhe atë nuk e keni bërë. Ju e keni një nen që prek buxhetin e komunave, por nëse kalon ky buxhet mund të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese”, tha Hoti.

Sipas tij, është për të ardhur keq se si është hartuar ky buxhet.

“Kontingjenti prej 9 për qind e buxhetit është antiligjore. Në Zyrën e Kryeministrit i keni lënë 2 milionë euro për lobim. Është për të ardhur keq se si është hartuar ky buxhet”, përfundoi Hoti.

Po ashtu, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku ka thënë se asnjë amendament i komunave nuk është marr parasysh.

“Asnjë amendament i komunave nuk është marr parasysh. Shihet qartë që Qeveria nuk është e interesuar që t’i mbështet komunat apo institucionet e pavarura. Po ashtu, edhe deputetet që kanë paraqitur amendamentet nuk janë marr parasysh. Ne si PDK do t’i paraqesim të gjitha amendamentet. E kemi edhe Projektligjin e Pagave që është dashur ta ketë koeficientin, por që nuk e parasheh”, tha Lushtaku.

Në krejt Projektbuxhet janë propozuar 97 amendamente, 10 janë të komisionit funksional, 82 amendamente janë propozuar nga deputetet por pa përkrahjen e komisionit funksional dhe 5 nga komisionet e tjera.

Në fund të muajit tetor, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Një miliardë e 98 milionë euro janë ndarë për subvencione e transfere, 811 milionë në shpenzime kapitale, 745 milionë të tjera në kategorinë paga dhe mëditje dhe 493 milionë euro në mallra dhe shërbime. /Telegrafi/

Exit mobile version