Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur sot në takim të ngarkuarin me punë të ambasadës së Japonisë në Kosovë, Mitsunori Ogasawara, të cilin e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që ky vend mik i ka dhënë Kosovës.
Hoti e njoftoi Ogasawara për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, siç janë masat për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19, pakoja e rimëkëmbjes ekonomike si pasojë e kësaj pandemie etj. Po ashtu, ai foli edhe për procesin e dialogut me Serbinë, duke theksuar se pavarësisht rrethanave dhe sfidave, dialogu nuk ka alternativë.
“Ne hyjmë në këtë dialog me platformë të qartë, të bindur se është e domosdoshme një marrëveshje, e cila duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë dhe me perspektivë të qartë integruese euroatlantike ”, tha Hoti.
Nga ana e tij i ngarkuari me punë i ambasadës japoneze në Kosovë, Mitsunori Ogasawara ritheksoi se Japonia mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën dhe se është e hapur që partneriteti mes të dyja vendeve të jetë edhe më dinamik në të ardhmen. /Telegrafi/