Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.
Në këtë takim, Kryeministri Hoti e ka njoftuar Wigemark për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton Telegrafi.
Kryeministri Hoti theksoi me këtë rast se Qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtim në avancimin e rendit dhe të ligjit në vend, mbështetjen e institucioneve të sigurisë si dhe aspekte tjera që ndërlidhen me fushën e integrimit evropian dhe euroatlantik.
Kryeministri Hoti po ashtu theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe misionit të EULEX-it, do të jetë në suaza të forcimit të shtetit të së drejtës. /Telegrafi/